E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËRKTHYESI Sl POET I FSHEHUR

Ç'është përkthimi i poezisë?

Përkufizimin ma të mirë se çfarë është përkthimi i poezisë më duket se e ka dhënë poeti amerikan, Robert Frost, i cili me thënien e vet të jep përshtypjen se po i përgjigjej një pyetjeje tjetër: “Çfarë është poezia?” Ai thotë: “Poezia asht ajo çka humb në përkthim”. Pra, diferenca mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer asht poezia. Sipas Robert Frostit, idealja asht që poezia të mos përkthehet, sepse përkthimi i poezisë asht një ndërmarrje e kotë. Ndërkohë, Kulla e Babilonit asht ndërtuar të paktën nja 10.000 vjet ma parë se të lindte Robert Frosti. Njerëzit kanë pasur nevojë dhe kanë nevojë që të lexojnë poezitë në gjuhët që nuk i njohin, dhe gjuhët e panjohura janë ku e ku më shumë se gjuhët që dinë dhe poliglotët më të thekur. Por tek pranojmë si një të keqe të pashmangshme përkthimin e tekstit letrar, dhe bashkë me të dhe përkthimin e poezisë, që asht dhe akti më i komplikuar dhe më i elaboruar linguistik, del e udhës që të jemi të vetëdijshëm se çfarë asht përkthimi...

Te grekët e lashtë perëndia e përkthyesve asht Hermesi, i cili shfaqet me detyrën që të çojë mesazhet e zotave te njerëzit vdekatarë... Hermesi asht në të njëjtën kohë shkelës kufijsh, detyra e tij asht që të shkapërcejë matanë caqeve, përtej kufijve, mbas vijave, me qëllim që të arrijë që të komunikojë me të huajt, me të panjohurit, që gjithmonë ndodhen përtej cakut... Sipas Platonit (Cratylus), Sokrati jep këtë përkufizim aspak simpatik për Hermesin:

Sokrati - E po mirë, emni Hermes duket se ka të bëjë disi me gjuhën. Hermesi asht një kasnec, një hajn, dhe një mashtrues, një 99-sh - dhe të gjitha këto përfshihen në forcën q' ka gjuha!

Vetë Platoni u jep njëfarë përparësie përkthyesve në raport me gjuhëtarët, ngase, sipas tij, ndërsa gramatikanët mund të jenë të dobishëm ngase janë në gjendje të na përshkruajnë germat dhe format e shkruara të gjuhës, përkthyesit janë në gjendje që të na tregojnë kuptimin e vërtetë të asaj se çfarë asht thanë.

Mitet e një kulture kanë të regjistruara dhe të inkoduara dijen e vërtetë historike apo dhe dijen parahistorike të njerëzimit, dhe miti i zotit Hermes si zoti i përkthyesve mund të jetë ilustrimi më i qartë i kësaj. Sipas mitit grek, përkthyesi asht ai që çon mesazhet e Zotit–Krijuesit - te vdektarët (lexuesit). Asht shkelës kufijsh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse na bjen autorët e vendeve të tjera dhe të kohnave të tjera tek lexuesi i një vendi të caktuem dhe i një kohe të caktueme. Asht hajn, sepse dhe përkthyesi ma i ndershëm nuk e bjen kurrë kuptimin e saktë në përkthim. Asht 99-sh,sepse i dredh dhe i spërdredh kuptimet dhe nuancat e origjinalit.

Përkthyesit ma të mirë janë ata të cilët e njohin shumë mirë gjuhen në të cilën përkthejnë, madje më mirë nga gjuha nga e cila përkthejnë. Po kështu, ata duhet të jenë të mirinformuar rreth kulturës së gjuhës burimore nga e cila përkthejnë. Sepse letërsia ekziston jo vetëm brenda një gjuhe, por gjithashtu edhe brenda një kulture. Del kësisoj se të përkthesh letërsi shpesh do të thotë të përkthesh Kulturë. Gabimet ma serioze në përkthim nuk krijohen nga keqkuptimi i gjuhës së tekstit sesa prej njohjes së pamjaftueshme të diferencave në kulturën e dy gjuhëve - nga ku përkthen dhe në të cilën përkthen... Një përkthyes i Fishtës, vargun zog i shkinës, e përkthen: Ky bastardh sllav... Fjalën zog ai e afron me togfjalëshin zog kurve, kopil, bastardh, pa i shkue ndërmend se shqipja thotë dhe: “Nuk ka zog nane që e ban këtë punë”. Në kontekstin e Fishtës, zog shkine ka kuptim asnjanjës, djali i shkinës. Por gabimi këtu nuk asht aq linguistik sesa një perceptim i gabuar kulturor. Përkthyesi - ma shqiptar patriot se vetë shqiptarët - ka mendue se shqiptarët dhe malazezët vetëm shahen mes tyre dhe nuk ka se si të ketë dhe dialog me kuptime asnjanëse mes tyre.

Përkthimi i poezisë asht akti ma i vështirë i përkthimit. Njëra nga veçoritë e përkthimit të poezisë asht interpretimi i tekstit që përkthehet. Është ajo që mund ta shtyjë përkthyesin që të shkojë përtej kuptimit real të tekstit, tek ndryshimet e koncepteve të origjinalit. Në këtë rast, poezinë e përkthyer nuk ke se si e boton njat tekstit origjinal, si botim bilingual. Megjithatë, ka plot që besojnë se përkthimi i poezisë mund të bahet edhe atëherë kur përkthyesi nuk e ka rrok kuptimin e qëllimit të autorit. Përkthimi i “Rubaive” të Fixheraldit asht krejt i pasaktë dhe asht shumë larg nga teksti origjinal. Po të bisedosh me një njohës të mirë të persishtes klasike, ai ka për të sqaruar se shumica e strofave te Fixheraldit (dhe të Nolit në shqip) nuk korrespondojnë me asnjërën nga “Rubairat” e Khajamit. Fixheraldi ka bërë më shumë një krijim të vetin, dhe Noli ka përkthyer më shumë Fixheraldin sesa Khajamin. Por po qe se Noli do të kishte përkthyer besnikërisht Khajamin, përkthimi i tij nuk do të kishte qenë kaq popullor dhe kaq i pëlqyeshëm nga lexuesit sa ky që njohim sot si “Rubairat” në shqip. Përkthimet e Fixheraldit dhe të Nolit nuk janë përkthime ad verbum. Por duke mos qenë të tilla, ato mbesin një shembull i përkryer i përkthimit ad sensum.

A duhet që veç poetët ta përkthejnë poezinë?

Le ta quajmë përkthyesin jopoet: përkthyes profesional. Kur një poet përkthen poezinë, ai ka disa avantazhe të mëdha nga përkthyesi profesionist: Ka vesh të ndjeshëm që e ban të aftë për të kapë emocionet më të fshehta, më vibruese, më të holla, të cilat rrëshqasin drejt e në det nga rrjeta me bira të mëdha të përkthyesit profesionist. Poeti, kur përkthen poezinë, ka disa vegla pune që përkthyesit profesionist i mungojnë: ka instinktin e lindur të ritmit, ka shijen e duhur për zgjedhjen e fjalëve të sakta, asht i familjarizuar me strukturën poetike, ka mirëkuptimin e duhun përkundrejt stërhollimeve metaforike, i kupton instinktivisht aliteracionin, asonancën, tonin, humorin, suspensin... Poeti, kur përkthen, e njeh instinktivisht kontrollin dhe balancën emocionale dhe di të shprehet me një zë natyral që vjen pa ngërçe. Pranohet nga të gjithë se përkthyesi profesionist nuk ka barotte mjaftueshëm emocional për t'i mbush fishekët...

Me gjithë këto avantazhe të poetëve përkthyes, a mund ta pranoj përkthimin e poezisë vetëm nga poetët? Përkthimi i poezive vetëm nga poetët më kujton atë zakonin e martesave vetëm brenda fisit. Martesa të tilla bëjnë që fëmija i lindun të ketë pas ma kufizim në zgjedhje në mënyrën e AND-s.

Përkthimi i Li PO-s,i mjeshtrit të poezisë kineze të shekullit të 8-të nga Ezra Pound asht konsideruar si shprehja e tmerrit të poetit në kohën e luftës, që korrespondon me tmerrin evropian të Luftës së Parë Botnore. Pra, përkthimi ka të bajë pak me origjinalin. Kur poeti përkthen, ai përkthen vetveten dhe tek vetvetja. Poezia e përkthyer nga poeti gjithmonë ka për të mbajtë shenjen e personalitetit të përkthyesit. Sa më i njohun të jetë poeti që përkthen, aq më keq asht. Kur përkthimi i Propertius u shfaq në revistën “Poetry”, në pranverën e vitit 1914, Pound u gjend në vorbullën e një stuhie sharjesh nga profesorët latinistë dhe akademikët. Nuk arrihej të kuptohej se si Pound të kishte njohje kaq të cekët të latinishtes. Profesor William Gardener Hale i Universitetit të Chicago-s shkruan se E. Pound "asht injorant der' në pabesueshmëri i latinishtes". Thomas Hardy i shpreh rezervat e veta ma me takt në një letër drejtuar Ezra Pound-it: "Me siguri ti e ke llogaritë që të mos çash kokën për mendimet e të tjerëve"! "Vetë Ezra Pound mbrohet duke thënë se nuk ka synuar të bëj një përkthim fjalë për fjalë. "Qëllimi im ishte të sillnja një të vdekur tek të gjallët, duke e ringjallë poetin romak në kohen tonë (Homage to Sextus Propertius).

Siç shihet, përkthimi i poezisë nga poetët nuk meriton gjithmonë duartrokitje. Personalisht, mendoj se përkthimet më të mira në gjuhen shqipe i kemi nga përkthyesit profesionistë dhe jo nga poetët. Emrat e Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit, Vedat Kokonës, Aurel Plasarit, Petraq Kolovicës, Ardian Klosit, Dritan Çelës dhe i sa e sa të tjerëve kanë qenë disa herë më sugjestionues e më të respektuar se shumë shkrimtarë e poetë bashkëkohës me ta. Edhe për një arsye tjetër, shpjegimin e së cilës e gjejmë në Greqinë e lashtë. Plutarku tregon te "Jeta e Themistokleut" se profesioni i përkthyesit asht shpesh i bartun me rreziqe. Themistokleu, me miratimin e popullit të Athinës, pat dënuar me vdekje një përkthyes nën akuzën se ai pat bërë të njohura ligjet dhe kodet e barbarëve në gjuhën greke.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›