E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROBLEMATIKA E LUMENJVE NJË REALITET APO NJË NDËRGJEGJËSIM

Prof. Dr. Besnik OSTROSI

Lumenjtë përbejnë jo vetëm rrjedhjet e ujit, por edhe të sedimenteve. Uji gjatë rrjedhjes së tij në shtratin e lumit mobilizon sedimentet dhe i merr me vehte gjatë rrugës së tij, në formë të materialeve të shtratit, materialeve pezull apo materialeve të tretura. Lumenjtë kanë aftësi të gërryejnë mjedisin (procesi i erozionit) ku kalojnë qoftë ky shkëmb, kodër, tokë e karakterit bujqësor apo tjetër duke sjellë si pasojë ndryshimin e relievit duke mbartur e grumbulluar  sedimente të reja (procesi i sedimentimit). Duke patur parasysh që lumenjtë përshkojnë një pejsazh të larmishëm, ata në përgjithësi zgjerohen duke u bashkuar me lumenj të tjerë. Sistemi i lumenjve i formuar përbën atë që quhet « drenazh » që është shpesh i degëzuar, por mund ti përshtatet rrugëkalimeve të tjera dhe kjo varet nga topografija lokale dhe gjeologjia që karakterizon rajonin. Forca e proçeseve të përmendur më sipër varet jo vetëm nga faktorë natyrorë sic janë ato gjeologjikë, klimatikë, gjeografikë, biologjikë…, por edhe nga ato njerëzore si shfrytëzimi i inerteve të shtratit të lumenjve, hedhja e mbeturinave të ngurta, devijimi i rrjedhjes së lumenjve, ndërtimi i digave apo objekteve të tjera në brigjet e lumenjve apo derdhjen e poshtme të tij, etj.

Duhet theksuar që rrjedhjet ujore janë shumë të ndjeshme ndaj çrregullimeve të derdhjeve dhe grumbullimeve të sedimenteve të regjistruara në nivelin e shtratit të tyre. Formimi i depozitimeve aluviale dhe i tarracave lumore që është në varësi të periudhave të ngopjes dhe mungesës në materiale të ngurta, llogaritet në shkallë kohore gjeologjike. Gjeomorfologjia e shtratit të lumenjve pëson pareshtur ndryshime qoftë prej erozionit regresiv ose hypës, qoftë prej erozionit progresiv d.m.th të atij në drejtim të derdhjes, qoftë prej një seri shkaqesh të kombinuara. Dukuria e parë është e kushtëzuar nga një rritje e imponuar e pjerrësisë, kryesisht nga një ulje e nivelit të bazës dhe një reduktim i gjatësisë së rrjedhjes së ujit. Dukuria e dytë është e kushtëzuar nga çrregullimi i flukseve të sedimenteve të ngurta që vjen prej mospërputhjes me kapacitetin e mbartjes së rrjedhjeve të ujit apo prej rritjes së prurjeve të ujit që kanë për qëllim mbartjen e materialeve të shtratit. Faktorët kryesorë që prishin ekuilibrin e dukurive natyrore karakteristike të lumenjve, janë thatësira apo mungesa e sedimenteve në krye të baseneve si rrjedhojë e një shfrytëzimi bujqësor e rural pa kriter, si edhe çrregullimi i kalimit të prurjeve në luginat e formuara. Më tepër se çdo faktor, shfrytëzimi i konglomerateve prej njeriut gjatë një periudhë kohe disa vjeçare është bërë përgjegjësi kryesor i një dukurie që ka arritur shkallën e fuqisë të një dukurie gjeologjike. Sipas rasteve, përgjegjësia kryesore e çrregullimit të ekuilibrit dhe ndryshimit të sasive të prurjeve ujore është klima apo shoqëria njerëzore. Studiuesit kanë sjellë argumenta bindës në mbështetje të një shkaku antropogjenik parësor. Ky nënkupton uljen e rezistencës së mjedisit nga ndikimi i shoqërisë njerëzore gjatë shekujve të fundit. Ndryshimet e pësuara në shtretërit e lumenjve si rrjedhojë e ndërhyrjes së dorës së njeriut tejkalojnë masën si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe ato në zhvillim, në shkallë të atillë që mjedisi i derivuar fsheh ndikimin e mundshëm të faktorit hidroklimatik. Shtimi i barrierave të shumta, korrigjimet që i bëhen lumenjve dhe shfrytëzimi i materialeve lumore të destinuara për zhvillimin urban përshpejtojnë dukurinë e erozionit. Si pasojë e këtij të fundit, vihen re një përkeqësim i përmbytjeve apo një ulje e prurjeve të rrjedhjeve të ujit, dëmtime të veprave publike apo inxhinierike, rrëshqitje të dherave, një ulje e nivelit të ujërave nëntokësore apo tharje e tyre duke sjellë çrregullime në furnizimin me ujë të popullatës, etj.

Erozioni i shkaktuar nga rrjedhjet e ujit mbetet një ndër problemet me të mëdhenj të mjedisit në botë, duke shkaktuar një shqetësim të madh jo vetëm për vendet e zhvilluara, por edhe për më tepër vendet në zhvillim. Sipas studimeve të kryera, rreth 65% e tokave në botë i janë nënshtruar dukurive të degradimit ndër të cilave ajo e erozionit dhe shkretëtirëzimit. Në Evropë, 12% e tokave janë të kërcënuara nga erozioni hydrik dhe 4 % nga erozioni i erës.

Nga shembujt e ndikimit të erozionit lumor në planetin tonë, vlen të përmendet ai lumit Amazona lumit me prurje më të madhe në botë (209 000 m³/s). Që prej 1999, është vënë re një ulje e dukshme e prurjes ujore së këtij lumi. Matjet e kryera nga studiuesit ndërkombëtarë në stacionin brazilian të Obidos i cili ndodhet në brigjet e Amazonës 800 km larg oqeanit Atlantik, tregojnë për një ulje të theksuar të prurjeve të ujit dhe lartësisë së nivelit të lumit që prej 1999. Vëllimi maksimal i rrjedhjeve të ujit të Amazonës që ushqehet nga Rio Solimoes (me burim në Peru), nga Rio Madeira (Bolivi) dhe nga Rio Negro (me burim në Kolumbi), ka kështu kaluar nga 267 000 m3/s më 1999 në 226 000 m3/s më 2003. Lumi i Amazonës në pjesën e Ikitos në Peru ka arritur nivelin e tij më të ulët në 40 vitet e fundit. Në një kohë kur prurja e ujit të Amazonës ulet, sasia e sedimenteve të mbartura rritet duke kaluar nga 896 milion ton më 2001 në 1,1 miliard ton më 2003. Kjo rritje shpjegohet prej erozionit shumë të fuqishëm të shkaktuar nga prurjet e ngurta të Andeve në Rio Solimoes. Aktivitet njerëzore në vendet e Perusë e të Bolivisë, sidomos ai i shfrytëzimit të pyjeve në shkallën e një  çpyllëzimi masiv, kanë provokuar dukurinë e erozionit të fuqishëm të lartpërmendur. Ulja e nivelit të Amazonës ka bërë të mundur që në disa rajone të Perusë e të Brazilit, popullsia të jetë plotësisht e shkëputur nga pjesa tjetër e botës, sepse anijet që janë mjeti i vetëm i transportit në këto zona tropikale nuk mund të lundrojnë kur niveli i ujit të lumit bie. Nga ana tjetër, tharja e tanishme e rrjedhjeve të ujit mund të jetë me pasoja të theksuara për botën shtazore ujore. Kështu sipas specialistëve, dy lloj speciesh janë në rrezik : « Boto » një delfin i vogël i ujit të ëmbël dhe një gjitar i detit qe vendalinjtë e quajnë « peshk-kau».

Në vendin tonë, erozioni hydrik (i të dy llojeve regresiv e progresiv) ka patur dhe ka karakter të theksuar. Ai i ka fillimet në kuaternarin e hershëm. Prania e tarracave disa shkallëshe dëshmon për një proçes erozioni të fuqishëm që ka zgjatur në kohë, sepse sic dihet sa më të shumta të jenë shkallët e tarracave lumore, aq më gjate në kohë ka vazhduar erozioni. Ndërhyrja e dorës së njeriut sidomos këto 20 vitet e fundit ka shkaktuar një erozion të theksuar të karakterit antropogjenik që ka cuar në formimin e tarracave të reja lumore zakonisht të përbëra nga dy shkallë në tokat fushore. Ato kanë një lartësi nga 10 deri në 15 cm që mund të shkojë deri në gjysëm metër në zona të caktuara. Lumenjtë e vendit tonë janë shfrytëzuar pa kriter aq sa nga ky shfrytëzim, në shumë raste kanë dalë në pah shtresat argjilore. Lumenjtë e Drinit, Bunës, Erzenit, Shkumbinit, janë më problematikët, përsa i përket shkallës së shfrytëzimit. Si rezultat i këtij shfrytëzimi, janë vërenjtur gërryerjet e brigjeve përgjatë lumenjve, dëmtimet në argjinaturat mbrojtëse dhe dalja nga shtrati e lumenjve. Në lumenjtë e Osumit, Devollit dhe të Semanit shfrytëzimi i inerteve ështe bërë aq më tepër pa respektuar kushtet teknike për mbrojtjen e veprave publike dhe ambientit. Këto

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›