E Shtunë, 31 Tetor 2026

PROTESTA E PS-së Rama lum kritikash Policisë së Shtetit

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pritur mes ovacionesh nga mbështetësit e opozitës që mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deklaroi se ajo çfarë kërkohet sot është një Shqipëri Evropiane me qeverisje të zgjedhur nga populli. Në ditën e 14-të të aksionit politik opozitar, përmes protestash të vazhdueshme në të gjithë Shqipërinë dhe grevës së urisë në sheshin përpara kryeministrisë, kryesocialisti Edi Rama shpreh vendosmërinë e opozitës për të mos u gjunjëzuar e për të çuar deri në fund kauzën për transparencë, e cila siç tha Rama, po përparon çdo ditë e më shumë drejt zgjidhjes. Ai iu ka bërë thirrje forcave të policisë të veprojnë sipas Kushtetutës pa u bërë mjet i interesave të pushtetit, Rama tha se populli do të arrijë tek e ardhmja e dëshiruar pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Sipas Ramës, statistikat evropiane dhe jo ato të Sali Berishës, tregojnë rënien e të ardhurave për qytetarët. “Nuk është greva jonë e urisë që ka sjellë thellimin e krizës por thellimi i krizës që ka sjellë grevën”, tha Rama. Fjala e tij u ndërpre në një moment pasi disa protestues patën një incident me forcat e policisë, ndërsa Rama menjëherë reagoi duke u thënë pjesëmarrësve në protestë, se forcat e policisë janë në detyrë dhe me uniformën e shtetit.
“Durim dhe rezistencë, jo dhunës”
Më tej ai vazhdoi duke u shprehur se “Do të rezistojmë me kurajo e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Kurrë nuk kam besuar tek dhuna dhe kurrë nuk do të dyshoj tek rezistenca paqësore si e vetmja rrugë për ti hapur rrugë të mirës. Zëri ynë po dëgjohet, kauza jonë po përparon, zgjidhja është sot më afër se asnjëherë në këta 9 muaj” u shpreh lideri i opozitës përpara mbështetësve të shumtë që ju bashkuan dje protestës së opozitës. Në përgjigje të akuzave të ardhura nga ana e maxhorancës, e cila konsideron grevën e urisë si pengesë që po i bëhet vendit në rrugën drejt Europës, Rama tha se janë kutitë e mbyllura ato që e mbajnë Shqipërinë larg Europës.
“Nuk e solli greva krizën”
“Nuk është greva jonë e urisë që ka sjellë thellimin e krizës, por thellimi i krizës që ka sjellë grevën tonë të urisë. Mungesa e normalitetit demokratik të këtij vendi është shkaku i protestave tona. Janë kutitë e mbyllura të zgjedhjeve që e mbajnë Shqipërinë larg Europës” u shpreh Rama. Ndërsa shprehu mirënjohje e admirim për grevistët që janë duke përmbyllur ditën e 14-të në mungesë të plotë të ushqimit, Rama theksoi se beteja për Shqipërinë e re është e vështirë dhe e mundimshme por në interes të cdo qytetari. “Askush mos mendojë se ne do të thyhemi ne nuk lëvizim prej këtej sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar, interesi i cdo qytetari. Kjo është një betejë për Shqipërinë e re, për ta cliruar vendin nga kthetrat e korrupsionit, është një betejë për vendin tonë ku populli zgjedh ata që do ta qeverisin", vazhdoi më tej kryesocialisti. Më tej në fjalën e tij Rama tha se opozita është në protestë pasi kërkon një qeveri europiane. “I them miqve europianë se ne jemi këtu sepse nga ju kemi mësuar se çfarë është liria, demokracia dhe shteti i së drejtës”, u shpreh Rama. “Ne sot i themi Shqipërisë se në këtë çadër buron liria dhe mirëqënia”, u shpreh Rama. Ai kritikoi ashpër reagimet e panevojshme të policisë gjatë këtyre ditëve me ndalimin e protestuesve në të gjithë vendin ndërsa tha se janë shpërndarë nga policia komunikata të ndyra si të kohës kur regjimi ekzekutonte kundërshtarët.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›