E Diel, 1 Nëntor 2026

PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E 80-VJETORIT TË KRIJIMIT TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË.

24 qershor 2008

I nderuar zoti N/Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë që, me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Gardës së Republikës të Shqipërisë të përshëndes, me cilësinë e Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të gjithë ata që sot mbajnë uniformën e nderuar të Gardës së Republikës dhe të gjithë ata, që ndër vite e kanë nderuar këtë uniformë me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.

Dëshiroj që në këtë ditë të shënuar të kujtojmë dhe të nderojmë të gjithë së bashku ata gardistë, që kanë dhënë jetën duke përmbushur detyrën dhe misionin e tyre sa të vështirë aq edhe fisnik në shërbim të vendit e të siguroj familjarët e tyre të dashur për vlerësimin dhe mbështetjen e shtetit shqiptar.

Sot, në këtë jubile të rëndësishëm, kam një falenderim të veçantë për të gjitha vendet mike dhe aleate, të cilat në vitet e vështira të tranzicionit shqiptar kanë mbështetur shndërrimin e Gardës së Republikës në një strukturë për të përballuar me sukses sfidat e reja të ndryshimeve të vrullshme që ndodhën në Shqipëri vitet e fundit.

Sot jemi mbledhur për të kujtuar 24 qershorin e vitit 1928, datën e krijimit të Gardës së Republikës. 80 vjet janë shumë vite pune dhe sakrifice për të vlerësuar dhe evidentuar misionin e rëndësishëm dhe delikat të Gardës nëpërmjet një analize dhe bilanci objektiv, por janë vite të mjaftueshme për të ndërtuar një strategji dhe një politikë përshtatëse në përmbushjen me sukses të misionit të saj në të ardhmen.

Dëshiroj të ve theksin në këtë ditë të shënuar në domosdoshmërinë e përzgjedhjes dhe përgatitjes profesionale të të gjithë personelit të Gardës së Republikës e gjithashtu provën ndaj qytetarëve të Shqipërise se misioni i tyre është në shërbim të vendit të tyre dhe të interesave të shtetit. Vetëm një personel thelbësisht profesional do të ndryshojë jo vetëm imazhin e frikshëm të trashëguar nga vitet e diktaturës, por do ta bëjë këtë strukturë cilësisht të denjë për të përballuar sfidat që ka shoqëria shqiptare, rajoni dhe mbarë bota.

Të dashur ushtarë, oficerë dhe nënoficerë të Gardës së Republikës!

Shqipëria ndodhet sot më afër se kurrë anëtarësimit të saj të plotë në NATO. Ky vlerësim nga ana e partnerëve tanë të Aleancës është edhe një vlerësin ndaj jush dhe misionit tuaj të deritanishëm. Renditja e Shqipërisë përkrah vendeve anëtare të Aleancës më të fuqishme strategjike, politike dhe ushtarake në botë rendit përpara jush domosdoshmërinë e një përgatitje cilësisht profesionale, thelbësisht efikase, maksimalisht të ndërgjegjëshme dhe thellësisht të besueshme. Aleanca kërkon partneritet dhe kontribute dhe ne duhet të përballemi me to. Gërshetimi i përvojës me energjinë dhe vullnetin e brezave të rinj të japin vlerën e shtuar të Gardës së Republikës për shoqërinë shqiptarë dhe për të ardhmen e saj.

Gëzuar 80-vjetorin e Gardës së Republikës! Ju uroj nga zemra suksese të mëtejshme në përmbushjen e detyrës suaj të vështirë dhe fisnike!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›