E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi drejton mbledhjen e parë të grupit të punës për asistencë juridike.

20 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka drejtuar sot mbledhjen e parë të grupit të punës që do ofrojë asistencën juridike në përzgjedhjen e kandidatëve për vendet vakant në Gjykatën e Lartë.

Në fillim të mbledhjes, Presidenti Topi pasi i ka falenderuar të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike, i ka inkujaruar ata drejt standardeve që duhet të ofrojnë anëtarët e ardhshëm të Gjykatës së Lartë: “Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë nga ana tjetër është instanca gjyqësore finale vendimet e së cilës i japin zgjidhjen përfundimtare konflikteve të shoqërisë. Vendimet e kësaj gjykate janë përcaktuese në perceptimin e dhënies së drejtësisë në opinionin publik dhe vendimtare në krijimin e jurisprudencës, nëpërmjet vendimeve unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara, vendime këto që kanë fuqinë e ligjit për gjykatat e dy të shkallëve të para. Për këto arsye madhore, kompromiset në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë ecin vetëm në një drejtim: atë të garantimit të kapaciteteve të larta profesionale. Është një rast kur të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm që dy elementë që i kemi thënë vazhdimisht integriteti moral dhe kapacitetet profesionale të jenë predominuese në përzgjedhjen e këtyre njerëzve për të shkuar në një proces legjitim në marrjen e pëlqimit në Kuvend.”, ka thënë Presidenti.

Grupi i punës i përbërë nga Artur Metani Këshilltar juridik i Presidentit, Kreshnik Spahiu zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Manjola Bejleri Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, Prof. Dr. Skënder Kaçupi Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Aleks Luarasi, Prof. Dr Rustem Gjata, Virgjil Karaj, avokat dhe Krenar Loloci, ekspert i të drejtës Kushtetuese ka përcaktuar në mbledhjen e tij të parë metodologjinë dhe programin e punës së tij 10 ditore.

Gjatë mbledhjes, grupi ka diskutuar mbi standardet për vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në kuadër të këtij diskutimi, grupi i juristëve vendosi që kandidatët që do të paraqiten, të pasurojnë CV-në e tyre me dokumente shtesë.

Përveç dokumentacionit që do paraqitet nga kandidatët, grupi i punës do kërkojë nga Institucionet e tjera informacion mbi punën e tyre.

Në funksion të një procesi tërësisht transparent, në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues nga delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë, të misionit EURALIUS, të Prezencës së OSBE-së e të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›