E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI NË PRITJEN ME SIPËRMARRËSIT E HUAJ DHE VENDAS TË PANAIRIT NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS.

24 nëntor 2009

Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar pjesëmarrës të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës,
Zonja dhe Zotërinj,

Së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri!

Nuk mund të jetë rastësi prania e 800 kompanive të huaja, përfaqësuar në Pavionin e vendeve europiane të zhvilluara dhe në zhvillim në të gjitha fushat e biznesit, në Panairin e Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës Klik Ekspo Group, dhe natyrisht, një ngjarje e tillë është më shumë se një kënaqësi e veçantë.

Është vlerësim, është inkurajim dhe, natyrisht, është një shpresë në rritje për ekonominë e një vendi të vogël, e cila në këto dy dekada, me mund dhe përpjekje, me guximin e shpirtit sipërmarrës të biznesit shqiptar ia ka dalë të shëputet nga kolapsi ku e la sistemi socialist dhe, gradualisht, t’i drejtohet treguesve të një vendi që zhvillimin e tij e ka orientuar te integrimi i tij në ekonominë rajonale dhe atë globale.

Është padyshim vlerësimi i natyrshëm për ekonominë e një vendi që për më shumë se një dekadë njeh rritje ekonomike të qendrueshme; është vlerësim për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s; është vlerësim për pranimin e kërkesës së kandidatit për vend anëtar të BE-së; është një dritë e qartë në fund të tunelit ku i kishte futur vendet e Ballkanit politika e para viteve 90- të.

Në një kohë që ekonomia europiane po del nga kriza, kur kreditimi i bizneseve është kufizuar, kur kërkesa botërore për mallra dhe shërbime është ende e dobët, ju jeni provë dhe dëshmi e qartë e atyre bizneseve që për të kapërcyer rënien ekonomike (recesionin) dhe përgatitur shërimin nga kriza, si opsion të vetëm keni zgjedhur ristrukturimin e kompanive tuaja, ashtu sikundër ka deklaruar Filip de Buk, Drejtor i Përgjithshëm i BiznesEurope në prani të Komisionit Europian në pranverë të këtij viti.

Duke konsideruar përpjekjet që kanë bërë kompanitë europiane për të ruajtur vendet e punës gjatë periudhës që u goditën nga kriza, me praninë tuaj në Tiranë ju i tregoni jo vetëm opinionit publik vendas por edhe atij ndërkombëtar se Shqipëria tashmë është një vend i sigurtë për të investuar dhe se synimi i kompanive tuaja po bëhet realitet i ditës, si një nga mjetet për të arritur qëllimet e strategjinë tuaj të periudhës që vjen nga nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës.

Nuk besoj se ka rrugë më të mirë për të siguruar të ardhmen ekonomike dhe prosperitetin social të Europës, pjesë e së cilës ka nisur të bëhet Shqipëria se sa të investosh në një vend kaq pranë zemrës së saj.

Para pak ditësh në ritualin e takimit vjetor të Presidentëve të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore, që u zhvillua në Sarajevë, u konstatua jo vetëm një klimë mjaft e mirë rajonale, një dialog politik i paparë ndonjëherë në retrospektivë dhe u konstatua qartë që Shqipëria krahasimisht me vendet e tjera të rajonit kishte bërë përparime të ndjeshme në fushën ekonomike. Në të gjithë treguesit që deklaroheshin nga raportuesit e institucioneve kërkimore-shkencore në fushën ekonomisë, Shqipëria ishte në shifra pozitive dhe u shpreha në këtë këndvështrim për të thënë që nuk është thjesht ajo që po ofron Shqipëria sot me realitetin e saj, por e parë kjo dhe e vendosur në një kontekst rajonal, bëhet akoma më e rëndësishme për investitorët e mëdhenj europianë, për të parë rajonin tonë si një rajon relativisht të qetë, ku në zemër të këtij rajoni Shqipëria është një vend shumë i qetë, shumë i sigurtë, me një treg i cili po zgjerohet falë dhe zgjerimit të infrastrukturës drejt Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Në mentalitetin e investitorëve të huaj kjo shikohet me shumë kujdes, sepse nuk shikohet vetëm një vend, por shikohet edhe në kontekstin rajonal. Sigurisht që siguria e Ballkanit sot konsiderohet e qëndrueshme dhe Shqipëria një vend anëtar i NATO-s, i cili në këtë kontekst që unë përmenda është shumë i sigurtë. Ky është një ndër parakushtet kryesore për të zhvilluar një investim në një terren që detyrimisht duhet të jetë i sigurtë. Dhe padyshim, kur disktutohet për elementë të rëndësishëm të ekonomisë sikurse është energjitika, infrastruktura, sikurse janë elementë të tjerë që lidhen jo vetëm me një vend, por me disa vende, kjo është shumë e rëndësishme të merret në konsideratë dhe nga biznesi, sepse të gjithë së bashku ne kemi diskutuar për të unifikuar sistemin energjitik, për të ngritur infrastrukturën në standardet europiane për të komunikuar me hekurudhë. Janë shkëmbyer të gjitha eksperiencat në këtë fushë të rëndësishme për të përfituar teknologji të reja në ruajtjen e traditës së secilit vend dhe kjo e bën shumë të rëndësishme qoftë për politikën, qoftë për institucionet, por në mënyrë të veçantë për biznesin

Në këtë kontekst, unë ndjehem mjaft i gëzuar dhe optimist kur shikoj se ndërmjet jush ka kompani të mirënjohura në fushën e energjitikës alternative, ndërtimit, rrugëve dhe, në veçanti, bujqësisë, turizmit, minierave, etj, sepse Shqipëria është vërtetë një ekonomi e vogël, por gëzon privilegjin e burimeve natyrore dhe të një force pune në moshë të re, në mesin e cilës ka mjaft individë me nivel të lartë profesional.

E fundit, por jo për nga rëndësia, institucionet e shtetit shqiptar janë duke bërë të gjitha përpjekjet për të vendosur një kuadër të drejtë ligjor që do të përmirësojë adaptueshmërinë e kompanive tuaja jo vetëm në drejtim të barrës së ulët fiskale, infrastrukturës, por edhe të kompanive dhe punëtorëve që t’ia dilni me sukses, sepse tek e fundit jeni ju që e krijoni pasurinë dhe mirëqenien shoqërore.

Duke ju falenderuar për praninë tuaj në Tiranë dëshiroj t’ju uroj suksese!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›