Presidenti Topi pret Delegacionin Parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Kinës.

24 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Delegacionin Parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Republikës Popullore të Kinës, kryesuar nga z. Sun Uen-sheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe Nënkryetar i Komitetit të Çështjeve Bujqësore dhe Rurale.
Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë Delegacionit Parlamentar kinez dhe, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që parlamentet dhe komisionet specifike parlamentare luajnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për konsolidimin e bashkëpunimit ndërshtetëror bilateral, që konstatohet në të gjitha fushat. “Niveli aktual i marrëdhënieve dhe miqësisë tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë miq ka krijuar tërë premisat për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve reciproke, si dhe zgjerimin e tyre në të ardhmen”, - nënvizoi Kryetari i Shtetit. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin në fushën e bujqësisë midis dy vendeve, ku përmendën programet e trajnimit të financuara nga pala kineze në fusha të tilla si menaxhimi i bujqësisë, zhvillimi rural, etj.
Në vijim të takimit, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve më të fundit ekonomike në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek bujqësia dhe agrikultura. Kryetari i Shtetit shprehu interesin e palës shqiptare për përgatitjen më profesionale të specialistëve në drejtim të zhvillimit rural dhe të rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve kërkimore-shkencore.
Nga ana e tij, kryetari i Delegacionit Parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Republikës Popullore të Kinës, zoti Sun Uen-sheng, në emër edhe të pjesëtarëve të tjerë të delegacionit kinez shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin e Republikës, duke vënë në dukje që “është një shprehje e vullnetit për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe interesimit për vijueshmërinë e tyre në të ardhmen në të gjitha fushat”.
Zoti Sun Uen-sheng vlerësoi shtimin e kontakteve dhe bashkëpunimin e komisioneve përkatëse të Asembleve respektive, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave pozitive, rritjes së njohjeve dhe zgjerimit e thellimit të marrëdhënieve ekonomike në të gjithë sektorët.