Presidenti Topi përshëndet fëmijët, prindërit dhe edukatorët me rastin e 20-të vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

21 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi me anë të një mesazhi përshëndeti sot të gjithë fëmijët, prindërit dhe edukatorët me rastin e 20-të vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.
“Me rastin e 20-të vjetorit Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, në këtë ditë kaq të rëndësishme dhe të shënuar, përfitoj nga rasti për të përshëndetur të gjithë fëmijët, prindërit dhe edukatorët.
Me cilësinë e Presidentit të Republikës angazhohem për vëmendje maksimale ndaj fëmiljëve duke shprehur jo vetëm gatishmërinë dhe vullnetin personal, por edhe atë institucional për ta vënë gjithë mekanizmin shtetëror në shërbim të rritjes sa më të mirë, të edukimit sa më të shëndoshë, të arsimimit sa më vlefshëm për ta në mënyrë që t’u sigurojmë një të ardhme sa më të sigurtë e të lumtur!
Në këtë ditë historike do të dëshiroja të drejtoja një mendim të veçantë për disa grupe fëmijësh të privuar nga dashuria dhe ngrohtësia prindërore apo shoqërore si jetimët, romët, etj., duke iu premtuar atyre përkujdesje të veçantë njerëzore dhe institucionale! U bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe kujdo që është i lidhur në mënyrë të drejpërdrejtë me rritjen dhe mbrojtjen e të drejtave të e fëmijëve për një vëmendje më të madhe ndaj këtyre kategorive.
Do të desha të theksoj në mënyrë specifike se për jetimët janë të nevojshme disa ndryshime në qëndrimin e institucioneve përgjegjëse.
- Vendosja e tyre në qendrat rezidenciale duhet të konsiderohet si zgjidhja më e fundit, pasi të jenë tentuar të gjitha zgjidhjet e tjera e sidomos pranë të afërmve të mbetur të familjes.
- Varfëria e familjes nuk përbën motiv të mjaftueshëm për vendosjen e fëmijëve në jetimore. Do të ishte më mirë që të tentohet ndihma e familjes, sesa shkëputja e fëmijës nga gjiri i saj.
- Duhet parë edhe mundësia e ndryshimeve ligjore si.psh marrja në kujdes e jetimëve deri në moshën 18 vjeç e jo deri në 15 vjeç si deri tani, ndjekja e tyre dhe pas kësaj moshe për probleme të tilla si punësimi, strehimi, etj.
Gjithashtu dëshiroja të vija në dukje se përkushtimi ynë ndaj fëmijëve pa dallim origjine, feje, shtrese shoqërore, ekonomike apo kulturore është qëllimi dhe kuptimi i jetës për secilin prind. Prandaj një përshëndetje plot mirënjohje u drejtohet edhe prindërve duke çmuar dhe duke u përulur me nderim para sakrificave të përditshme e vetëmohuese në përpjekje për ta mbajtur të fortë e të palëkundur institucionin më të rëndësishëm të një shoqërie: familjen, pavarësisht vështirësive me të cilat i përball jeta. Është dita e duhur për t’u thënë edhe edukatorëve që rezultati dhe fryti i punës së tyre për t’u mëkuar vlerat morale, traditën e konsoliduar dhe dijet vlerësohen pamasë duke u dhënë fëmijëve shqiptarë të gjitha mundësitë e duhura në jetë në mëyrë që ata të rriten ashtu siç duhet, duke u shndërruar në një të ardhme jo aq fort të largët në prindër dhe edukatorë të përsosur dhe shqiptarë të mirë”!