E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS - Ministria e Brendshme, “lufta” e shifrave për kartat e identitetit

PS-ja deklaron se rrezikojnë të mbeten pa karta 300 mijë zgjedhës. Ministria e Brendshme reagon se 200 mijë zgjedhës janë emigrantë jashtë vendit

Shaban Sulçe

Kartat e identitetit duket se janë kthyer në një mollë sherri midis Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme. Lufta midis partisë kryesore të opozitës dhe institucionit që përgjigjet për këtë proces ka shpërthyer që në ditët e para kur filloi procesi i aplikimeve për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Selia rozë, në mënyrë të vazhdueshme, e ka akuzuar Ministrinë e Brendshme se po kthehet në instrument të qeverisë për të manipuluar procesin zgjedhor të 28 qershorit me anë të kartave të identitetit. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme i është kundërpërgjigjur Partisë Socialiste se po përpiqet që të pengojë dhe të dekurajojë procesin e aplikimit të votuesve pa pasaportë për t’u pajisur me karta identiteti. Fillimisht Partia Socialiste është përballur me qeverinë për heqjen e taksës së votës, duke e konsideruar çmimin fillestar prej 1200 lekësh për aplikim, si të papërballueshëm për xhepat e shqiptarëve. Pasi qeveria dhe PS-ja negociuan për këtë çështje, u arrit që shuma të reduktohet në vetëm 200 lekë. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk sheshoi dyshimet për këtë proces, i cili u shoqërua me një luftë shifrash midis Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme. Partia Socialiste në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë sinjalet e alarmit për qindra mijëra votues pa pasaportë, që rrezikonin të mbeteshin pa aplikuar dhe pa karta identiteti, ndërkohë që këto shifra kundërshtoheshin dhe vijojnë të kundërshtohen ende nga Ministria e Brendshme.

Pretendimet e PS-së
Beteja midis Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme ka pasur si shkak numrin e saktë të personave pa pasaportë. Selia rozë nuk i ka besuar deklarimit të Ministrisë së Brendshme se ky numër është 730 mijë, duke e akuzuar Ministrinë se e ka zvogëluar qëllimshëm këtë numër. Partia Socialiste ka shprehur gjithashtu dyshim edhe për vërtetësinë e numrit prej 1 013 359 aplikantësh për letërnjoftim, të deklaruar nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë, selia rozë pretendon se deri sot mbi 500 mijë votues pa pasaportë ende nuk kanë aplikuar për karta identiteti dhe se 300 mijë prej tyre rrezikojnë që të mos pajisen deri më 12 qershor dhe automatikisht të mos votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Pretendimet e Ministrisë
Ministria e Brendshme, në reagimet e saj, ka bërë të ditur se është e vërtetë se deri tani nuk kanë aplikuar 300 mijë zgjedhës pa pasaportë, por të paktën 200 mijë prej tyre janë emigrantë ilegalë jashtë Shqipërisë. Madje, për këtë Ministria e Brendshme i ka kujtuar Partisë Socialiste korrespondencën e saj zyrtare, por edhe në takimet me diplomatë të huaj, ku shprehej qëndrimi i saj se nuk priste që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike më shumë se 500 000 qytetarë nga grupi i atyre që janë pa pasaportë. Nga ana tjetër, të dhënat e Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se deri tani janë bërë 1 150 000 aplikime, nga të cilat 460 mijë aplikime janë të personave pa pasaportë. Ministria e Brendshme ka deklaruar se janë të gjitha kapacitetet që të mos ngelet asnjë qytetar pa pasaportë, pa aplikuar për kartë identiteti deri në datën 15 qershor, e cila është caktuar prej saj si data e fundit e aplikimeve.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›