“Projektligji, trajtim të ndryshëm, dhe sipas praktikës europiane”
Ligjet miratojnë projektligjin “Për faljet”
Komisionit parlamentar për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriu, miratoi dje projektligjin e faljes së të dënuarve. Nga deputetët diskutantë, mësohet se ky projektligj nuk do të cenojë kompetencat e Presidentit, por do të strukturojë më mirë rolin e Ministrisë së Drejtësisë e cila do duhet të propozojë kërkesat për falje.
Projektligji ndalon të dënuarit me burgim të përjetshëm të kërkojnë falje ndërsa për ata që kanë kryer krime të rënda falja nuk mund të bëhet pa kaluar minimalisht 1/3 e dënimit.
Ndërkohë dhënia e faljes mund të kërkohet nga persona të cilët vuajnë nga ndonjë sëmundje e rëndë , nga gratë shtatzëna, të dënuarit të cilët kanë qenë të mitur në kohën e krimit etj.
Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, theksoi dje, gjatë mbledhjes së Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, se projektligji "Për faljen" është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Relatori i këtij projektligji, deputeti Viktor Gumi, vlerësoi se projektligji i paraqitur sjell një trajtim të ndryshëm, korrekt dhe bashkëkohor të faljes sipas praktikës europiane. Ai theksoi se bashkë me amendamentet e paraqitura mund të vijohet me shqyrtimin e mëtejshëm në komision e më pas edhe në seancë plenare.
Një element i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe përcaktimi i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve, duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social.
Për ish-ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj duhet bërë kujdes që të shihet me vëmendje përthithja që shoqëria ka për individin që do të falet.
Ligji për faljen është konsideruar nga ekspertët si një nga ligjet më të rëndësishme për vendin në rrafshin juridik dhe moral.