E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rekomandimi për heqjen e vizave, pas reformave të guximshme e të thella”

Kryetarja e Kuvendit takon Presidentin e Rumanisë, Traian Basesku

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim Presidentin e Rumanisë, Traian Basesku. Ishte pikërisht në Bukuresht ku Shqipëria mori ftesën për në NATO, tha Kryetarja e Kuvendit, dhe për ne vendi juaj, anëtar i BE-së dhe NATO-s, është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë.
Ajo tha më tej se, “Kuvendi në këto muaj ka bërë një punë të madhe. Mbi 170 ligje janë miratuar e votuar, ligje të reformave që kanë bërë të mundur arritjen e vendimit të 27 Majit për heqjen e vizave. Kam keqardhje që opozita nuk u bashkua me mazhorancën në agjendën integruese të Kuvendit. Rekomandimi për heqjen e vizave erdhi si rezultat i zgjedhjeve më të mira e transparente, i reformave të guximshme e të thella. Askush, për interesa personale nuk do të mund të bllokojë as heqjen e vizave dhe as rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. çdo politikan duhet të këtë përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve, ndaj dhe unë shpresoj që opozita do të bëhet pjesë bashkëpunuese dhe jo penguese e përpjekjeve tona integruese. Opozita duhet të jetë luajale ndaj vendit dhe qytetarëve”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe Kryetarja Jozefina Topalli dhe Presidenti Basesku ndanë mendimin se, përmes diplomacisë parlamentare këto marrëdhënie mund të nxiten më tej.
Presidenti Basesku tha se janë kohëra ku parlamenti ka marrë një rol thelbësor në vendimmarrjen jo vetëm kombëtare, por edhe atë europiane, si një faktor kyç dhe element thelbësor i politikës ndërkombëtare.
Presidenti i Rumanisë pasi shprehu kënaqësinë për këtë ritakim me Kryetaren e Kuvendit në Shqipëri, tha se shpreson në një vizitë të afërt të saj në Rumani, ndërsa Kryetarja e Kuvendit tha se po ashtu do të jetë kënaqësi të mirëpresë Kryetaren e parlamentit të Rumanisë në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›