E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, 3 ish-kryeministra në pikëpyetje

 

Aristir Lumezi

Kryesia socialiste do të vendosë sot për listën e saj të kandidatëve për deputetë. Edhe pse janë përcaktuar shumë nga kandidatët që do të jenë në krye të qarqeve dhe në vendet e para të listave, që do të thotë dhe siguri në fitoren e tyre si deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë, ka shumë emra të njohur që diskutohen për të qenë apo jo në lista. Ajo që është tashmë e konfirmuar është mungesa nga kjo listë e ish-kryetarit socialist Fatos Nano, i cili pritet të japë sot publikisht qëndrimin e tij për zgjedhjet dhe listën e kandidatëve me të cilët PS-ja do të hyjë në garë për të marrë pushtetin në 28 qershor. Burime nga selia rozë pohuan dje për “Panorama”, se ish-presidenti Rexhep Meidani nuk është kontaktuar nga kreu socialist Edi Rama për të qenë pjesë e ekipit të kandidatëve të Tiranës. Edhe pse dje qarkulluan zëra se ai mund të ishte në krye të listës së kryeqytetit, mësohet se për këtë çështje nuk është bërë asnjë negociatë. Në krye të bordit të Fondacionit “Qemal Stafa”, pak ditë më parë, ish-presidenti Rexhep Meidani i dorëzoi kryetarit socialist Librin e Rekomandimeve, i cili është në themel të programit qeverisës të PS-së, duke i dhënë start dhe garës së Edi Ramës për kryeministër të vendit. Ish-presidenti socialist nuk mësohet të ketë një vend në listën e kandidatëve për deputetë. Por dy ditët e fundit, e gjithë vëmendja e atyre që merren me politikën është përqendruar rreth informacioneve që qarkullojnë për emrat në listat e kandidatëve dhe pse lista përfundimtare është mbajtur e mbyllur në mënyrë hermetike. Ditët e fundit, të cilat kanë qenë më të tensionuarat përsa i takon listave të kandidatëve, janë hedhur në tregun politik shumë informacione, të cilat në shumicën e rasteve kanë pasur si qëllim edhe testimin e opinionit rreth emrave të caktuar. Janë konsideruar si të pasigurt në listat e kandidatëve të PS-së dy nga ish-kryeministrat socialistë, Ylli Bufi dhe Bashkim Fino. Edhe pse dje në mbrëmje mësohet për një takim të Bashkim Finos me Edi Ramën, kandidimi i tij në zonën e sigurt fituese mbetet ende e pasigurt. Ndërsa nënkryetari aktual socialist i Kuvendit, Ylli Bufi ende nuk dihet nëse do të jetë në një nga zonat e sigurta të listave. Por mësohet se edhe nëse ata nuk do të jenë në vendet e para të listave, dy përfaqësuesit e rëndësishëm të PS-së edhe pse mund të vendosen në vende të rrezikuara për të fituar, do shfrytëzojnë reputacionin e tyre për të ndihmuar në maksimalizimin e votave për listën e PS-së. Por nuk kanë munguar edhe negociatat me eksponentë të ndryshëm të pushtetit vendor, që drejtojnë bashki të rëndësishme të vendit dhe anëtarë kryesie për të përcaktuar saktë vendosjen e emrave në lista. Mësohet se, veçanërisht ditët e fundit nuk kanë munguar dhe mesazhet në celularin e kryetarit socialist Edi Rama nga baza, të cilat sugjerojnë propozime të ndryshme për emra që përfliten si të sigurt në listë, por dhe për ata që rezultojnë se nuk do të jenë në pozicionet fituese. Nuk mësohet se si vetë Edi Rama i ka menaxhuar ato, por kjo do të reflektohet në reagimet që listat përfundimtare do të marrin nga strukturat dhe elektorati socialist pasi ato të bëhen publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›