Rama: Aleancë mes bashkisë së Tiranës e qeverisë pas 28 qershorit
“Nesër shqiptarët do të kenë një qeveri kombëtare dhe një kryeministër që do të mendojë ditë e natë për ta”. Kështu ka deklaruar nga Bregu i Lumit kryebashkiaku Rama, ku ishte i pranishëm për inaugurimin e një rruge të ndërtuar me të ardhurat e bashkisë. Gjatë inspektimit të rrugës së përfunduar, Rama tha se kryeqytetasit do të kenë mundësi që në katër vitet e ardhshme të shohin Tiranën e vërtetë evropiane. “Ne do të rinisim një punë kolosale të qeverisë kombëtare për Tiranën dhe në një aleancë të paparë deri më sot, mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, do të bëjmë Tiranën europiane shumë herë më shpejt dhe do u japim fëmijëve tanë shumë herë më shpejt, një Tiranë që do të jetë Tirana e çdo qytetari dhe qytetareje të Bashkimit Europian, e ndërkohë, pas kësaj Tirane do të vijnë me vrap të gjitha qytetet, të gjitha komunat e vendit dhe Shqipëria do të transformohet në katër vitet e ardhshme, ashtu si nuk është transformuar në këto 18 vite, të marra së bashku”, tha Rama. Sipas tij, vendi do të ketë një kryeministër, i cili duke i njohur me imtësi të gjitha anët e punës dhe problemet e kryeqytetit, do të kenë mundësi të shohin një transformim që është po aq i paimagjinueshëm sa ç’ishte transformimi i Tiranës në tërë këto vite, ku ne e nisëm vërtet nga zero”, u shpreh Rama.