QSUT komunikim me 60 qendra mjekësore në Irlandë dhe Europë
Autori i Lajmit: Red.Mjekët e Klinikës Kirurgjikale të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, tashmë përmes instalimit që prej një muaji të aparaturës së Telemedicinës, mund të komunikojnë me 60 qendra mjekësore në Irlandë dhe Europë.
“Kjo aparaturë, e dhuruar nga shoqata "Miqtë Irlandezë të Shqipërisë", të cilët kanë vite që bashkëpunojnë me QSUT, do t u vijë në ndihmë edhe pacientëve, pasi instalimi i pajisjes moderne do të përmirësojë cilësinë e shërbimit nëpërmjet kualifikimeve e konsultimeve të mjekëve shqiptarë”, vlerësoi shefi i Djegie-Plastikës, Gjergj Belba. Aparatura e Telemedicinës është e përbërë nga një kompjuter, monitor, video kamera, një ekran të madh, (i cili do të vendoset në mur) dhe softëare mjekësie të specializuar për të shkëmbyer materiale dhe imazhe mjekësore. “Për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjes së Telemedicinës është specializuar një inxhinier, i cili ka marrë instruksione nga inxhinierët irlandezë gjatë fazës së tanishme të instalimit. Ai ka bërë një sërë testesh së bashku me inxhinierët holandezë, përpara se të bëhej hapja zyrtare e pajisjes dhe të organizohet videokonferenca e parë e plotë midis mjekëve shqiptarë dhe atyre irlandezë , tha Belba. Shoqata "Miqtë Irlandezë të Shqipërisë", përveç pajisjes së dhuruar në QSUT ka dhuruar edhe gjashtë aparatura të tjera të Telemedicinës, të cilat do të shpërndahen në qytetet kryesore të vendit.
Funksionimi
Pajisja e telemedicinës do të mundësojë komunikimin direkt për konsulta dhe operacione të ndryshme, mes mjekëve të këtij spitali dhe mjekëve në spitalet irlandeze dhe spitalet e vendeve të tjera të Europës, ku është i instaluar ky sistem. Sipas specialistëve pajisja e “Telemedicinës”, nëpërmjet lidhjes Broadband, do të ndihmojë mjekët dhe studentët e mjekësisë shqiptare, që të jenë në kontakte direkte me 60 qendra mjekesore në Irlandë dhe në të gjitha spitalet e Evropës, ku është i instaluar ky sistem, për konsultimet dhe ekzaminimet e përbashkëta të pacientëve, operacione të ndryshme, leksioneve mjekësore dhe mbledhje të planifikuara. Me instalimin dhe vënien në funksion të kësaj pajisjeje moderne mjekësore, Drejtoria e QSUT-së “Nënë Tereza”, po synon të përmirësojë cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve dhe të krijojë hapësira të mëtejshme për kualifikime dhe konsultime mes stafit mjekësor të këtij spitali dhe stafeve të spitaleve evropiane. “Telemedicina” është vetëm hapi i parë”, sipas drejtuesve të kësaj qendre, pasi në të ardhmen ajo do të pasohet nga investime të tjera që do rrisin edhe shërbimin ndaj pacientëve.
Ky lajm është publikuar: 23/10/2007