PS: Analiza e Policisë joprofesionale. Berisha harroi krimin elektoral
TIRANE-Partia Socialiste reagoi sot lidhur me analizën një vjetore të Policisë së Shtetit, pak minuta pasi kryeministri Berisha bëri vlerësime maksimale për punën e bërë. Deputeti iPS, Taulant Balla bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp se analiza nuk ishte profesionale dhe se Berisha harroi të sqarojë lidhjet që ka me elementët kriminalë. “Sot në analizën e punës së policisë së shtetit u fol shumë, por mungoi një analizë profesionale e elementëve që lidhen me sigurinë publike, intensifikimin e veprimtarive kriminale, rritjen e numrit të aksidenteve rrugore, paaftësinë e bllokimit dhe parandalimit të kanaleve të trafikut të narkotikëve”. Sipas PS, sot Sali Berisha dhe Ministri i Brendshëm Lulzim Basha duhet të jepnin arsyet që mungesa e rezultateve konkrete dhe të prekshme në luftën kundër trafiqeve, po mbajnë peng vendim-marrjen e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. PS i kujtoi se lufta kundër krimit bëhet pa kompromise dhe pa fshehur lidhje kriminale. “Partia Socialiste i kujton sot Sali Berishës se lufta kundër krimit të organizuar nuk duhet të ketë kompromise, ndërsa Sali Berisha duhet të sqarojë çdo lidhje me elementë kriminalë apo edhe të burgosur që morën lirinë në fushatën elektorale të qershorit dhe që u përdorën për të bërë presion dhe ndryshuar me forcë vullnetin e shqiptarëve”, tha Balla. Në këtë pikë, deputeti socialist kthen vemednjen tek kërkesa për hetim të zgjedhjeve se sipas tij kështu do të zbardhen mjetet që përdori Berisha për të fituar votat. “Ndaj ngritja e komisionit hetimor parlamentar që do të hetojë masakrën elektorale, është e domosdoshme dhe për të zbardhur sa e përfshirë dhe bashkëpunuese ka qenë qeverisja dhe administrata e Sali Berishës me kriminelë të cilët u lëshuan si kope nga burgjet për të cenuar votat e shqiptarëve”. Sot duke përshëndetur gjatë analizës vjetore të Policisë së Shtetit, Kreu i Qeverisë, Sali Berisha pasi falenderoi forcat e Policisë për punën serioze për rendin dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, tha se,” ulja e nivelit të kriminalitetit bëhet dhe më rëndësishme sot kur ne kërkojmë nga partnerët tanë liberalizmin e vizave”. Kryeministri Berisha e cilësoi vitin 2009 si një vit elektoral, ku sipas tij, “ rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit kanë luajtur edhe forcat e Policisë duke përmbushur të gjitha detyrimet që ligji u kërkon gjatë proçesit elekrtoral". (d.b/BalkanWeb)