E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Konsulta me Beogradin për integrimin e veriut të Kosovës

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar se rreth strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në sistemin kosovar do të konsultohet me Beogradin dhe se zbatimi i saj nuk nënkupton zgjidhje të imponuar dhe as përdorimin e dhunës. Në një intervistë dhënë për "Zërin e Amerikës", Faith ka vlerësuar se vendosja e pushtetit në veri të Kosovës mund të zgjasë me vite, ndërsa ka theksuar se qëllimi i strategjisë është që të tentojë që qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës t'iu ofrohen kushte më të mira për jetë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka vlerësuar se vendosja e pushtetit në veri të Kosovës mund të zgjasë me vite. "Kjo mund të zgjasë edhe më gjatë sesa qëndrimi im në Kosovë, kështu që do të konsultohemi me Beogradin në lidhje me secilin hap që planifikojmë ta ndërmarrim në pajtim me strategjinë", ka theksuar Feith. I pyetur se sa është larg Kosova nga integrimi në BE, Feith është përgjigjur se ky vend ka përpara një rrugë të gjatë, por me perspektivë", dhe sipas tij njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht formal për hyrjen e Serbisë në BE, por njëri nga kushtet do të jetë bashkëpunimi rajonal. "Ajo që është thënë qartë është se Serbia duhet të vendosë bashkëpunimin rajonal, pasi kjo do të jetë e dobishme për aspiratat e Serbisë", ka thënë Feith.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›