Rama udhëzon deputetët të ikin në bazë

Deputetët e grupit Parlamentar Socialist do të zbresin në bazë për të vendosur kontaktet për sezonin e ri politik të PS
Kryesocialisti ka porositur deputetët që të takojnë elektoratin dhe të jenë gati për çdo aksion politik
Deputetët e grupit Parlamentar Socialist do të zbresin në bazë për të vendosur kontaktet për sezonin e ri politik të Partisë Socialiste. Udhëzimi është dhënë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka zhvilluar dje mbledhje së bashku me deputetë të selisë rozë. Takimet me kryesocialistin janë zhvilluar me grupe të ndryshme deputetësh, të ndarë sipas qarqeve.
Gjatë ditës së djeshme, lideri i socialistëve ka takuar grupe deputetësh përgjatë gjithë ditës. Burime nga këto takime bëjnë të ditur se këto mbledhje vijnë pas periudhës së pushimeve në të cilën ndodheshin deputetët socialistë.
Me rikthimin e tyre në jetën aktive politike, pas një muaji pushim, deputetët e grupit Parlamentar Socialist kanë zhvilluar takimin e parë me kryesocialistin. Megjithëse një takim midis politikanësh, mësohet se ky takim ka pasur edhe anën e tij miqësore, ku zyrtarët socialistë kanë folur për pushimet e tyre.
Megjithëkëtë, në takimet që kanë zgjatur përreth 90 minuta, pjesa kryesore e diskutimit ka qenë axhenda politike e opozitës me nisjen edhe sesionit të ri parlamentar.
Megjithëse në Partinë Socialiste ende nuk kanë mbërritur përgjigjet e shumëpërfolura nga Partia Demokrate, për të cilat është shprehur se i ka gati, kryetari i selisë rozë ka udhëzuar deputetët që të qëndrojnë pranë elektoratit dhe për të qenë të përgatitur për çdo situatë që mund të ndodhë.
Burime nga këto takime bëjnë të ditur se gjatë mbledhjes kryesocialisti nuk ka udhëzuar konkretisht përgatitjen e protestave, por komunikimin e deputetëve me elektoratin.
Duke qenë se ndodhemi në një periudhë, ku siç është paralajmëruar nga socialistët, do të ketë një angazhim edhe më të madh të Partisë Socialiste në jetën politike, kryetari i kësaj partie, Edi Rama, ka kërkuar nga zyrtarët socialistë që të përfshihen në një proces angazhimi në zonat e tyre përkatëse.
Kontakti i deputetëve dhe zbritja e tyre në bazë nuk do të jetë vetëm për elektoratin, por do të ketë edhe diskutime dhe takime me strukturat e larta të degëve të Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë.
Aksioni i ri politik i Partisë Socialiste do të konsistojë edhe në parapërgatitjen e bazës për hyrjen në zgjedhjet e ardhshme vendore. Megjithëse zgjidhja e krizës politike qëndron në plan të parë për socialistët, ndërmarrja e reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme në plan të dytë, ballafaqimi i ardhshëm elektoral nuk mundet që kurrsesi të lihet pas dore nga selia rozë.
Për rrjedhojë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimeve me grupet e deputetëve u ka kërkuar atyre që të angazhohen maksimalisht dhe të udhëzojnë strukturat në zonat që mbulojnë për të nisur kontaktet me popullin. Modeli, me të cilin do të komunikojnë zyrtarët socialistë në elektorat do të jetë sistemi amerikan.
Ky sistem, i cili përdoret gjatë fushatave elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka si objekt të punës daljen derë më derë të zyrtarëve socialistë dhe të komunikojnë me publikun për problemet të cilat shqetësojnë vendin, si rritja e çmimeve të produkteve të shportës, të energjisë, korrupsioni etj. Takimet e kryetarit të Partisë Socialiste do të vijojnë edhe ditën e sotme në selinë rozë, me deputetët e rretheve të ndryshme të vendit.
Takimet
Takimet me kryesocialistin janë zhvilluar me grupe të ndryshme deputetësh, të ndarë sipas qarqeve. Gjatë ditës së djeshme, lideri i socialistëve ka takuar grupe deputetësh përgjatë gjithë ditës. Burime nga këto takime bëjnë të ditur se këto mbledhje vijnë pas periudhës së pushimeve, në të cilën ndodheshin deputetët socialistë.
PS: 4 gënjeshtrat e Berishës në mbledhjen e qeverisë
Partia Socialiste ka akuzuar dje Kryeministrin Berisha se ka gënjyer sërish gjatë mbledhjes së qeverisë.
Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, deklaroi se Berisha përmendi rrugë si Levan - Tepelenë apo Levan - Vlorë dhe ka vite që i përmend. "Duhet të kishin mbaruar, sepse edhe fondet e donatorëve janë disponibël. Por, zvarriten, sepse iu dhanë sekserëve të Sali Berishës, të cilët, si në rastin e hidrocentraleve, s'janë marrë ndonjëherë me rrugë dhe tani nuk dinë t'i bëjnë. Berisha përmend rrugë e vetëm rrugë, por në fakt gënjen.
Nëse do të ishin bërë të gjitha rrugët që ai ka thënë dhe sidomos po të numërohen shiritat që ai ka prerë, Shqipëria duhet të ishte 5 herë më e madhe nga çfarë është", reagoi Gjermeni. Së dyti, tha deputetja, ajo që nuk tha Berisha, është përgjigja që presin sipërmarrësit e punëve publike për punët e kryera dhe faturat e palikujduara.
Së treti, vijoi zyrtarja e PS, Kryeministri në vend që t'u thotë sipërmarrësve në hoteleri e restorante se ku është kanali kryesor i ujërave të zeza, i kërcënon publikisht se do t'u shkatërrojë bizneset. "Së katërti, Kryeministri foli për rritje pagash e pensionesh në korrikun e vitit që vjen. Por, shqiptarët duhet të jetojnë edhe sot, edhe në muajt që vijojnë dhe nuk mund të vdesin urie duke pritur korrikun 2011", u shpreh Gjermeni.