PS, Beqja: Berisha mashtroi për rritjen e çmimit të energjisë
TIRANE - Partia Socialiste ka reaguar menjëherë pas vendimit të ERE-s për të rritur çmimin e energjisë. Qeveria ishte dhe autore e këtij vendimi. Sipas deputetit Ilir Beqja, ndryshe nga sa pretendon qeveria, vendimi për rritjen e çmimit të energjisë është marrë kohë më parë se të përfundonte procesi i privatizimit të OSSH. Madje ky vendim gjendet edhe në anekset e kontratës mes palës shqiptare dhe ÇEZ. Në këtë kontratë Sali Berisha ka vendosur se çmimi i energjise do të rritet me dy shifra çdo vit deri në vitin 2014
"Turpi më i madh për këtë qeveri qëndron në faktin se përballë kërkesës për transparencë të popullit shqiptar dhe opozitës, ministrat e Sali Berishës heshtën duke u justifikuar se rritjen e çmimit e vendos Enti Rregullator i Energjisë", u shpreh deputeti i PS.
"Sot shqiptarët do të përballen me një tjetër shtrenjtim të kostove të jetesës. Një tjetër faturë e shtrenjtë për çdo shqiptar , dhuratë nga Sali Berisha për vitin e ri. Këto janë pasojat e një qeverie që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës dhe që mashtron", vijoi ai.