E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Beqja: Spitalet dhe në 2009 në gjendje skandaloze

Ilir Beqja Tiranë, 6 Janar, 12:52, NOA - Partia Socialiste me anë të nënsekretarit për Programin, Ilir Beqja ka sulmuar dhe sot sot qeverinë, këtë radhë për gjendjen në spitale. Në një deklaratë për shtyp, Beqja tha se, “edhe fillimi i vitit 2009 dëshmoi në sytë e të gjithë shqiptarëve gjendjen skandaloze në spitalet e vendit.

- Në maternitetin e qytetit të Lezhës energjia elektrike dhe uji kanë munguar më shumë se 24 orë. Për fat të keq, gratë shtatzëna të qytetit të Lezhës duhet sjellin fëmijët në jetë nën dritën e qirinjve edhe pse jemi në vitin 2009.

- Brenda qytetit të Peshkopisë, për më shumë se dy ditë rruga që të çon në spitalin e qytetit ka qenë e bllokuar nga bora.

- Në mes të Tiranës, në qendrën spitalore universitare të vendit, nuk ka ngrohje në shërbimin e kardiologjisë. Ministria e Shëndetësisë premtoi për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, a thua se po kërkohet ky shërbim në gusht dhe jo në muajin më ftohtë të vitit që prej mijëra vjetësh”.

“Kaluan 6 muaj nga fillimi i punës së ministres së shëndetësisë, dhe situata në spitale është po ajo. Edhe premtimet e saj për stabilizimin e furnizimit me ilaçe brenda 2 muajsh nga dita që mori detyrën nuk u mbajtën. Kjo dëshmon se problemet e shëndetësisë shqiptare nuk janë emrat e ministrave, por mungesa e një programi të qartë të qeverisë dhe paaftësia e papërgjegjshmëria shembullore e kryeministrit të vendit”, tha nënsekretari për programin në PS, gjatë fjalës së tij.

Sipas Beqjas, “është folur së fundmi për një skemë të re të financimit të spitaleve, por kjo skemë, edhe pse më pak se gjysmake, akoma nuk është miratuar në Kuvend dhe kështu nuk ka gjasa që të fillojë të funksionojë brenda muajve të parë të vitit”.

“Për fatin e tyre të keq, shqiptarët duhet të vazhdojnë të marrin leje nëse duhet të sëmuren apo gratë shtatzëna duhet të pyesin në OSSH përpara se të sjellin fëmijët e tyre në jetë.

Por ka edhe një lajm të mirë për shqiptarët. Qeveria e Sali Berishës ka hyrë në 6 muajt e fundit. Ardhja e PS-së në pushtet dhe programi që ajo ofron, do të jenë një zgjidhje e qëndrueshme për problemet 18 vjeçare të shëndetësisë shqiptare”, përfundoi deklaratën Ilir Beqja.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›