E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS Berisha autor i 21 janarit dhe Gerdecit

Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha për atë që e konsideron dështimi i procesit gjyqësor të Gërdecit. Ashtu si edhe 21 janari edhe Gërdeci është pasojë e korrupsionit të qeverisë Berisha, deklaroi nënkryetari i grupit socialist Saimir Tahiri.

"Sot fajtorët janë në prag të lirisë në një proces gjyqësor në prag të dështimit, ndërkohë që Sali Berisha, fajtori i vërtetë, ideatori, urdhëruesi dhe protektori i biznesit familjar në Gërdec, vazhdon të fshihet pas karriges së kryeministrit duke iu shmangur drejtësisë dhe ligjit. Në 21 janar, u vranë 4 qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, pse guxuan të protestonin kundër një regjimi mafioz, që kosto për të qëndruar në kurrizin e shqiptarëve, ka dhe vetë jetën e tyre. Gërdeci dhe 21 janari, lindën për shkak të korrupsionit të vetë Saliut, familjarëve dhe ministrave të tij, me armë fishekësh e bllok llogarish të pista në dorë, të gjithë të mbrojtur nga aksioneri kryesor i korrupsionit sistematik në vend, Sali Berishës", deklaroi Saimir Tahiri.

Partia Socialiste apeloi në drejtim të kryeministrit Berisha. "Sali Berisha, dorëzo familjarët dhe qeveritarët që vodhën e vranë. Dorëzo Fatmir Mediun, Lulëzim Bashën, dorëzo ekzekutorët në gardë, dorëzo sekserët dhe të gjithë ata që të kanë kapur peng ty e nëpërmjet teje, Shqipërinë e shqiptarët", tha Tahiri.

Deklaratat e socialistëve vijnë pasi një ditë më parë, të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit  u lanë në arrest shtëpie për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Hetimi për ta vijon nga gjykata e lartë.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›