PS: Berisha e Prifti kanë përgjegjësi penale
Partia Socialiste i ripërsërit Prokurorisë kërkesën për fillimin e hetimeve për shkaqet që çuan në këtë katastrofë me autorësi shtetërore. "Ne na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën, si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë," tha dje deputeti socialist, Taulant Balla. Sipas tij, përgjegjës për këtë katastrofë është kryeministri Sali Berisha, Ministri e Energjetikës, Dritan Priftin, "Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës", u shpreh Balla.