E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: U shpërdoruan 35 milionë USD

 Aristir LumeziKryetari socialist akuzoi dje qeverinë për shpërdorim, duke paraqitur dhe faturë dëmi financiar. "Situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, sepse asnjëherë më parë shteti shqiptar nuk ka qenë kaq i dalë duarsh, kaq jashtë binarëve të ligjit dhe të kontrollit të ekspertëve edhe për çështjet më delikate që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, kaq i kapur nga një pushtet interesash kryekëput korruptive", tha dje Rama, gjatë një komunikimi me mediat në selinë e Partisë Socialiste. Sipas tij, me keqmenaxhimin e ujërave të kaskadës së Drinit mund të ishin përfituar 35 milionë dollarë. "Sipas të dhënave zyrtare, të cilat sipas nesh janë gjithsesi të zvogëluara ndjeshëm, po i mbyt me një ujë që po të ishte menaxhuar si duhet, Fierza do të kishte prodhuar jo përmbytjen apokaliptike të qarkut të Shkodrës, por 457.638 Mwh energji elektrike. Që e llogaritur me çmimin minimal, përbën një humbje për shtetin e për shqiptarët të barabartë me 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja. Plot 35 milionë dollarë të shpërdoruara, vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji, po duke e mbledhur jashtë arsyes për babëzi", tha Rama.Kryesocialisti akuzoi dje Kryeministrin Berisha si farëmbjellës katastrofash, duke i sjellë në vëmendje dhe tragjedinë e Gërdecit. "Ky njeri që po e çon vendin nga rrënimi në rrënim, me zjarr në Gërdec, me shembje mali në Kalimash, me përmbytje të paparë në 100 vjet, siç thotë edhe vetë në qarkun e Shkodrës, është kthyer në një farëmbjellës katastrofash. Pushteti i tij i vjedhur më 28 qershor po e shkatërron shtetin me babëzinë, me papërgjegjshmërinë e me lukuninë e të paaftëve që s'kanë haber nga punët, për të cilat paguhen me lekët e shqiptarëve", u shpreh Rama. Duke folur për përmbytjet në zonën e Shkodrës, Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ripërsëriti akuzat për qeverinë duke u shprehur se katastrofa e ndodhur erdhi si pasojë e shkeljes së ligjit. "Veriun e mbyti shkelja e ligjit, situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria njerëz që mbledhin në hidrocentrale kaq shumë prurje për të fituar", u shpreh Rama. Kreu socialist i kërkoi qeverisë dhe kryeministrit të nisë menjëherë dëmshpërblimet e banorëve të përmbytur. "Kjo ishte dhuratë që Sali Berisha ua bëri atyre banorëve, prandaj të nxjerrë sa më parë shumën e dëmshpërblimit për të gjitha familjet e përmbytura. Ashtu sikundër qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë, urgjent, lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s'mund të mbajë frymën gjallë, as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet, as duke shitur lopën për 5 ditë bukë", vijoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›