E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Priftin: I rëndësishëm bashkëpunimi mes institucioneve

 Një ditë pas takimit me kreun e Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, Presidenti Bamir Topi u takua me ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti. "Takimi i punës u mbajt në serinë e disa takimeve dhe konsultimeve intensive, që Kreu i shtetit po zhvillon me drejtues institucionesh, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike dhe u fokusua në situatën e përmbytjeve në veri-perëndim të vendit të shkaktuar nga reshjet dhe nga derdhjet e kontrolluara të ujërave të liqeneve në kaskadën e lumit Drin", thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Presidencës. Gjatë këtij takimi, ministri Prifti e informoi në mënyrë të detajuar Presidentin Topi për gjendjen e tri ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin si dhe me monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve e kontrolluara nga specialistët dhe ekspertët hidrikë duke e siguruar Kreun e shtetit se situata është drejt përmirësimit. Nga ana e tij Presidenti u shpreh se është i rëndësishëm bashkëpunimi mes institucioneve. "Presidenti Topi pasi u njoh me hollësi rreth situatës më të fundit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndër-institucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum duke iu rikthyer normalitetit", thuhet më tej në njoftimin për mediat. Kreu i shtetit ka zhvilluar disa takime me specialistë të fushës si dhe ka parë nga afër pasojat e përmbytjes në veri të vendit. Dy ditë më parë gjatë një takimi me Presidentin Topi, specialisti i hidrocentraleve, Farudin Hoxha garantoi se digat janë të sigurta. "Unë dua t'i transmetoj të gjithë popullit, atyre që më dëgjojnë, që më shikojnë ose që më lexojnë në shtypin e shkruar që të jenë të sigurt, që nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot. Bëj çudi që dikush mundohet të lëshojë ndonjë tymnajë të pavërtetë, absolutisht të pavërtetë. Unë ju siguroj me fjalën time të nderit dhe jo vetëm timen, por edhe të shokëve të mi, me të cilët kemi punuar për këto vepra, që të jenë të sigurt, si në shtëpitë e tyre!", theksoi Hoxha. Sipas tij, pas kalimit të kësaj situate, duhet të bëhen analizat e duhura për të parandaluar të njëjtin fenomen vitet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›