E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha i fali Vokshit rezervat publike të nëntokës

Deputeti opozitar Artan Gaçi, tha se ish-këshilltares së kryeministrit i janë dhënë kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vite.

“Rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej afër 4 miliardë dollarësh, sipas një llogaritjeje të vetë kompanisë. Kompania e Vokshit dhe Tartarit po nxjerr miliona dollarë duke paguar shtetin shqiptar me thërrime. Sali Berisha i ka falur deputetes Vokshi pasurinë publike të shqiptarëve. Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliard dollar të pasurisë publike. Ndërsa taksat që paguan kjo kompai në arkën e shtetit janë qesharake, 2-6%”, tha ai gjatë konferencës.

Ai sqaroi më tej se Kryeministri Berisha, më 8 gusht të vitit 2007, duke shkelur çdo ligj të konfliktit të interesit e korrupsionit, i fali burrit të këshilltares së tij tre fusha prodhimi nafte funksionale, e një fushë gazi natyror.“Kjo kontratë iu dha me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe të vetë Albana Vokshit, një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim, por që si vlerë të vetme kishtë faktin që ishte pronë e familjes Vokshi- tartari. Pra ju dha kompanisë Vokshi- Tartari një shifër totale rreth 4 miliardë dollarë pasuri të shqiptarëve”, sqaroi ai.

Në fund të deklaratës, deputeti i opozitës është shprehur pasuritë publike të nëntokës iu falën Albana Vokshit. “Berisha fali pasurinë e të gjithë shqiptarëve sikur të ishte vetëm ai pronari i saj, për të pasuruar e shpërblyer vuvuzelat e tij. Kjo është fytyra e kalbur e korrupsionit të një pushteti që nuk e njeh shtetin, por vetëm interesat personale të sulltanit e oborrtarëve të tij. Kjo, është vjedhje e hapur e pasurisë sonë të përbashkët”, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›