E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: “Berisha ka dy alternativa: kutitë ose zgjedhje”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputetja Olta Xhaçka u është kundërpërgjigjur akuzave të bëra dje nga kryeministri Sali Berisha. Sipas saj, dje gjuha e urrejtjes u përdor sërish nga Sali Berisha dhe ushtarët e tij. “Sot shqiptarët panë një tjetër shfaqje të turpshme që tentonte sërish ta zhvendoste vëmendjen nga kutitë e krimit elektoral të 28 Qershorit, mbi të cilat Sali Berisha dhe ushtarët e tij qëndrojnë ulur. E ka ndritur Ridvan Bode ekonominë e Shqipërisë dhe financat e shqiptarëve, që del e shpif duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. E ka ndritur Genc Pollo arsimin në Shqipëri, që del e gënjen, duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. E ka ndritur Sokol Olldashi tunelin e Kalimashit, që del e mashtron duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit”, - renditi ajo qeveritarët demokratë. Sipas ligjvënëses socialiste, për Sali Berishën dhe ministrat e tij ka mbetur vetëm një zgjidhje: të hapë kutitë. “Përndryshe, duke mos hapur kutitë, Sali Berisha pranon se qeveria e tij është ilegjitime, duke thelluar edhe më shumë krizën që ka mbërthyer vendin. Të hapë kutitë, përndryshe për Sali Berishën nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje”, - tha ajo.

PS: “Komunisti i fundit në Evropë mbulon krizën me shpifje”

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se ka angazhuar ministra dhe deputetë në fushatë shpifjesh kundër opozitës. Deputeti socialist Blendi Klosi i cilësoi si ushtarë zyrtarët që, sipas tij, Berisha ka rreshtuar çdo ditë duke lënë tërësisht pas dore shqetësimet e shqiptarëve. “Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tij besnikë, kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve, por janë shpërndarë anembanë Shqipërisë për të lëshuar të pavërteta në adresë të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj. Kjo është një tjetër krizë me të cilën përballet sot vendi ynë”, - tha ai. Sipas Klosit, Shqipëria qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve. “Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet, kundër vullnetit të popullit të tij. Në kohën kur qeveritë e gjithë botës prodhojnë politika për të lehtësuar impaktin e krizës mbi qytetarët, Sali Berisha, si i fundit komunist i mbetur në pushtet në Evropë, kërkon të mbulojë krizën përmes shpifjes”,- theksoi Klosi. Partia Socialiste shprehet e bindur se zgjidhja e vetme e situatës së krizës në vend është hapja e kutive të votimit. “Duke mos i hapur kutitë Sali Berisha thellon krizën dhe qeveria e tij bëhet gjithmonë e më ilegjitime, për pasojë bizneset e vogla e të mëdha do të vazhdojnë të vuajnë presionin e qeverisë, familjet do të vazhdojnë të vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimit, pensionistët rritjen e çmimit të energjisë, të sëmurët mungesën e përkujdesjes shëndetësore”, - u shpreh Klosi përpara gazetarëve.

Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›