E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha ka humbur qetësinë, të hapë kutitë



I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste ndaj qëndrimit të PD-së lidhur me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nëpërmjet zëdhënëses Armela Imeraj, PS-ja i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të lejojë transparencën dhe të dëgjojë thirrjet e ndërkombëtarëve. "Ka kohë që Sali Berisha e ka humbur qetësinë e që dëgjojmë të nxjerrë nga goja e tij apo tellallëve të tij, fjalë e akuza të pavërteta. Deri diku është e kuptueshme, njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Po të vjen keq kur sheh se Sali Berisha dëshpërohet ngaqë e vërteta po del në shesh, se transparenca po fiton mbi kutitë e mbyllura, e se të gjithë miqtë ndërkombëtarë janë rreshtuar në mbështetje të hetimit të zgjedhjeve", deklaroi Imeraj. Partia Socialiste akuzoi në të njëjtën kohë kreun e Qeverisë se po shkatërron ekonominë e vendit. "Në këto momente Sali Berisha bën mirë të ruajë qetësinë. Të hapë kutitë e të bëjë transparencën e ekonomisë, të cilën ky njeri po e shkatërron çdo ditë", theksoi më tej zëdhënësja e PS-së. Deklaratat e djeshme të PS-së e PD-së vijnë pas qëndrimit të kreut të Asamblesë së KiE-së, Cavushoglu, sipas të cilit opozita duhet t'i drejtohet Kushtetueses.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›