Topalli: Ai që humb zgjedhjet nuk mund të justifikohet
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të vizitës së saj në Qipro, ku janë mbledhur gjithë krerët e parlamenteve të Këshillit të Europës, ka deklaruar se zgjedhjet në Shqipëri arritën standardet e kërkuara. Në takimet me disa prej krerëve të parlamenteve europianë, Topalli ka kërkuar mbështetje për integrimin e vendit, ndërsa në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet që konteston opozita, Topalli ka thënë se "nuk ka argument kundër fituesit, ai që humb nuk mund justifikohet!". "Ajo i njohu kolegët e saj me reformat e tjera të mëdha të bëra pas zgjedhjeve të fundit të 28 qershorit 2009. Këto zgjedhje u vlerësuan nga 518 vëzhgues ndërkombëtarë dhe ODIHR si zgjedhje të lira dhe të ndershme, si zgjedhje që arritën standardet. E veçanta e këtyre zgjedhjeve veç të tjerash ishte fotografimi, filmimi dhe transmetimi online i çdo vote gjatë procesit të numërimit. Bashkëbiseduesit e cilësuan të admirueshëm këtë proces që mundësoi një transparencë unike si në asnjë vend tjetër. Nënkryetari i Parlamentit të Holandës e vlerësoi këtë proces transparence në numërim si "mahnitës dhe shumë modern"", thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit. Edhe gjatë ditës së dytë të konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Topalli u takua me kryetaren e Parlamentit të Estonisë, Ene Ergnan, nënkryetarin e Parlamentit të Holandës, Harm Evert Waalkens, të Lituanisë, Ceslovas Jursenas, të Finlandës dhe me personalitete të tjerë të pranishëm. Gjatë të gjithë këtyre takimeve kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi mbështetjen e vendeve të tyre për të realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Po ashtu ajo i njohu me punën e madhe që shqiptarët dhe Qeveria kanë bërë, duke përmbushur çdo detyrim të palës shqiptare.