E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxhoranca me 8 anëtarë në Byronë e Kuvendit, 2 nga PS



Erald Kapri

Me hyrjen e opozitës me kohë të plotë në Kuvend, u arrit që pushteti legjislativ të mbushë të gjitha mangësitë që kishte, duke bërë të mundur që çdo organ të kompletohet. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit u përcaktuan drejtuesit e opozitës në komisionet parlamentare si dhe në sekretariatet e Kuvendit. Por, organi më i rëndësishëm vendimmarrës në Kuvend për çështjet administrative, Byroja e Kuvendit, nuk është e balancuar siç e kërkon Rregullorja e Kuvendit. Ky organ kolegjial ka në përbërje 10 anëtarë dhe sipas rregullores, ai duhet të ngrihet në respekt të përbërjes politike të grupeve parlamentare në Kuvend. Kështu, maxhoranca ka 8 anëtarëve në Byro, ndërsa opozita vetëm 2 anëtarë. Anëtarët e maxhorancës janë Jozefina Topalli, Ardian Turku, Nasip Naço, Florion Mima, Viktor Gumi, Gent Strazimiri, Mark Marku, Leonard Demi ndërsa nga opozita janë vetëm Namik Dokle e Erjon Braçe. Sipas rregullores, Byroja përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, 2 sekretarë për buxhetin e 4 sekretarë dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Por të gjithë sekretariatet drejtohen nga deputetët e PD-së, përjashto sekretariatin e buxhetit, i cili ka dy sekretare. Më tej thuhet në rregullore se "përbërja e Byrosë së Kuvendit pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit". Nga ana tjetër rregullorja përcakton se "nuk mund të zgjidhet më shumë se një sekretar nga i njëjti grup parlamentar". Më tej përcaktohet se Kryetarja e Kuvendit duhet të përcaktojë me mirëkuptim anëtarët e Byrosë me krerët e grupeve parlamentare. "Përbërja e Byrosë së Kuvendit përcaktohet me mirëkuptim në mbledhjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. Kryetari ia propozon atë Kuvendit për votim në seancë plenare, i cili vendos me votim të hapur", thuhet në rregullore. Sipas rregullores, Byroja e Kuvendit vendos për buxhetin e Kuvendit, organizimin e shërbimeve të Kuvendit me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm, statusin ligjor dhe ekonomik për të punësuarit në Kuvend si dhe për ankimet në rastet e konstituimit të grupeve parlamentare apo ankesave për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit. "Byroja e Kuvendit, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, emëron Sekretarin e Përgjithshëm mbi bazën e tri kandidaturave të dala nga konkurrimi, sipas legjislacionit për shërbimin civil. Byroja e Kuvendit miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Kuvendit dhe vendos publikimin e tij", thuhet në rregullore për disa nga kompetencat vendimmarrëse të Byrosë së Kuvendit. Në seancën e fundit në Kuvend u plotësuan sekretariatet e Kuvendit, ku disa deputetët të opozitës u zgjodhën anëtarë të tyre. Deputetja Mimi Kodheli u zgjodh edhe anëtare e sekretariatit për buxhetin e Kuvendit, ku Erion Braçe do të jetë sekretar. Anëtar i sekretariatit për procedurat e votimit u zgjidh Armando Subashi, ndërsa Ermonela Felaj u zgjodh anëtare e sekretariatit për statusin e deputetit. Fatmir Toçi u zgjodh anëtar në sekretariatin për kërkimin shkencor, bibliotekën dhe botimet parlamentare, ndërsa Qemal Minxhozi, anëtar në sekretariatin për marrëdhëniet me jashtë.

Byroja e Kuvendit

Jozefina Topalli Partia Demokratike
Ardian Turku Partia Demokratike
Nasip Naço Partia "LSI"
Namik Dokle Partia Socialiste
Florion Mima Partia Demokratike
Erion Braçe Partia Socialiste
Viktor Gumi Partia Demokratike
Gent Strazimiri Partia Demokratike
Mark Marku Partia Demokratike
Leonard Demi Partia Demokratike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›