“Tumoret, për të parën herë me strategji kombëtare”
zirina llambro
Për herë të parë në Shqipëri do të ketë një strategji kombëtare për kontrollin e kancerit. Për ata që kanë kohë që iu tremben lajmeve zyrtare, që fillojë dhe mbarojnë në kohën e ardhme, gjërat këtë herë duket se po ndryshojnë. Një fushatë depistimi falas (kontrolli vullnetar) për kancerin e gjirit po përgatitet të fillojë në të gjithë vendin, ndërkohë që ka më shumë se dy vjet që të gjithë të lindurit para vitit '94 po vaksinohen ndaj hepatitit B, që është edhe një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të mëlçisë. Këto janë kancerë të së nesërmes, që po tentohet të parandalohen sot. Statistikat na tregojnë se nga 8 kancerët më të përhapur në Shqipëri, falë zhvillimit të teknologjisë dhe shkencës 4 mund të kapen në stade të hershëm (gjiri, mitra, lëkura, laringut). Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, mendon se: të gjithë e dimë që "parandalimi në faza të hershme është veçanërisht i rëndësishëm në një vend si Shqipëria, ku problemet shëndetësore kritike konkurrojnë me njëri-tjetrin për përparësi", por është pikërisht ky parandalim që kërkon bashkërendimin ndërinstitucional, ekspertizën profesionale, alokimin dhe shfrytëzimin me efikasitet të resurseve financiare dhe plotësimin e kuadrit legjislativ. Më thjeshtë dhe qartë, bëhet fjalë që po kalojmë nga dija për një problem në veprimet praktike për ofrimin e zgjidhjeve adeguate në përballjen me të. Dr. Bardh Spahia ka pak muaj që ka marrë drejtimin e këtij komiteti dhe shpjegon katër shtyllat e strategjisë kombëtare të kancerit: Parandalimi parësor, zbulimi i hershëm, trajtimi kurativ dhe kujdesi paliativ. Zv/ministri i Shëndetësisë tregon pikat ku do të ndërhyhet, hartimin e një strategjie kombëtare si dhe shpreh vullnetin dhe bindjen e tij dhe të komitetit për t'i shkuar deri në fund zbatimit të kësaj nisme.
çfarë do të thotë një program Kombëtar për Kontrollin e Kancerit?
Programi Kombëtar i Kontrollit të Kancerit në fakt është një nisëm e domosdoshme. Fillesat e saj datojnë në një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, firmosur në 2005. Ajo ka për synim ndër të tjera të trajtojë edhe problemin e sëmundjeve të patransmetueshme ku përfshihet edhe kanceri. Ideja është të krijohet një program kombëtar për kontrollin e sëmundjes, bazuar në parimet e OBSH-së, integrimin e tij në të gjitha nivelet e sistemit të kujdesit shëndetësor shqiptar si dhe përfshirja e shoqërisë nëpërmjet veprimit kolektiv dhe social.
Cili do të jetë roli i këtij komiteti dhe pse sot?
Kanceri sot është shkaku i dytë më i madh i vdekjeve në Shqipëri. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre kur zbulohen janë në një fazë të vonë për t'u shëruar. Kjo e bën tepër të rëndësishme dhe imperative krijimin e një strategjie të qartë për mënyrën e përqasjes ndaj kësaj sëmundjeje. Eshtë e vërtetë se ka pak muaj që u riaktivizua Komiteti Kombëtar për Kontrollin e Kancerit. Ai do të caktojë përparësitë dhe do të identifikojë masat që duhet të merren nëpërmjet një analize të kujdesshme dhe planifikimit të veprimtarive të kontrollit të kancerit, në mënyrë që të ketë një përdorim sa më të mirë që të jetë e mundur të burimeve të kufizuara, për të arritur rezultatet më të mira të mundshme në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga kanceri. Me problematikën e gjerë të sistemit tonë shëndetësor dhe me nevojën e tij gjithnjë në rritje për burime financimi, kjo strategji merr vlerë të dorës së parë.
Tumoret zënë vendin e dytë për numrin e vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare, përkthyer në shifra sa raste kemi çdo vit dhe cilat janë tumoret më të përhapura?
Po të bëjmë një rendite të vdekshmërisë nga sëmundje të ndryshme, kemi sëmundjet kardiovaskulare me 50.2 për qind në të gjitha moshat, neoplazitë me 16.6 për qind, shkaqe jo të përcaktuara mirë 11.3 dhe aksidente 6.8 për qind. Janë afërsisht 4000 raste të reja të kancerit çdo vit. Këto gjithnjë duke iu referuar të dhënave nga regjistri i Qendrës Onkologjike në Tiranë (QSUT) dhe pjesërisht nga regjistrat e rretheve. Tumoret më të përhapura kanë diferencë mes meshkujve dhe femrave. Tek meshkujt i pari për numrin e rasteve renditet kanceri i mushkërive më tej kemi të lëkurës dhe rrugëve urinare. Ndërsa tek femrat kemi kancerin e gjirit atë të lëkurës dhe tumoret e qafës së mitrës.
Le të kthehemi tek objekti i kësaj interviste, "Komiteti", cilat janë fushat kyçe ku kjo strukturë që ju drejtoni do të ndërhyjë dhe prioritet përballë këtyre statistikave që realiteti shqiptar ofron?
Pra, siç e thashë duke parë këto statistika ishte domosdoshmëri riaktivizimi i Komitetit Kombëtar të Kancerit, Komitet që për nga përparësitë është menduar të ndahet në 4 kolona kryesore. Ato do të jenë parandalimi parësor, zbulimi i hershëm, trajtimi kurativ dhe kujdesi paliativ. Ky komitet mbledh disa prej autoriteteve shkencore më të shquara në përballjen me kancerin në vendin tonë duke harmonizuar dijet e thella shkencore dhe akademike me prioritetet e Qeverisë për sigurimin e shëndetit të popullatës.
Ku do të konsistojë puna me parandalimin e sëmundjes?
është i mirënjohur fakti që të paktën një e treta e kancerëve mund të parandalohen nëpërmjet një kontrolli të faktorëve të rrezikut. Sot kjo përbën një përparësi për politikat e Ministrisë së Shëndetësisë. Motoja është "Kanceri i së nesërmes, mund të parandalohet sot". Këtu përfshihen faktorët e rrezikut të tille si duhanpirja, rrezatimi ultraviolet, stili seksual i jetës, hepatiti B, substancat kimike, alkooli etj. Parandalimi parësor përmes sensibilizimit dhe edukimit shëndetësor të popullatës, por kur është e nevojshme edhe ndërhyrjeve në legjislacion duhet t'i jepen përparësi, edhe pse përfitimet e pritura mund të shihen vite më pas. Në këtë aspekt Komiteti Kombëtar i Kontrollit të Kancerit po rishikon gjithçka është bërë deri tani dhe përmes një programi këmbëngulës dhe të pandërprerë po ndërmerr hapat konkrete për mbështetjen dhe hartimin e politikave sensibilizuese, fushatave për popullatën dhe atyre kundër faktorëve risk.
Në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian mbetemi pas me zbulimin e hershëm, çfarë do të bëhet në këtë kuadër?
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i punës së Komitetit Kombëtar ka për qëllim mobilizimin dhe koordinimin e të gjitha resurseve sensibilizuese dhe diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjejë. Të zbulosh më herët sëmundjen do të thotë shanse më të mëdha për shërimin e plotë dhe përfundimtar si dhe shpenzime shumë më të vogla për qytetarët dhe shoqërinë në tërësi. Del domosdoshmëri ulja e stadit të kancerit në momentin e diagnostikimit dhe për këtë qëllim nevojitet përcaktimi i disa kritereve të qarta, në të cilat do të bazohen programet e zbulimit të hershëm, gjë me të cilën ky komitet do të merret në mënyrë të veçantë. Këto janë: dhënia përparësi e incidencës së lartë të sëmundjes, mundësia e zbulimit në një stad të hershëm aty ku ajo ekziston, ose ajo që njihet si zbulim në fazën paraklinike, mundësia e lartë shëruese po u kap në stad të hershëm, mundësia e zbulimit nga metoda jo invazive, si dhe kostot e ulëta të metodave të depistimit. Rëndësi të veçantë zbulimi i hershëm merr duke pasur parasysh edhe një fakt të rëndësishëm: nga 8 kancerët më të përhapur në Shqipëri 4 mund të kapen në stade të hershëm (gjiri, mitra, lëkura, laringu).
Cilat janë masat konkrete në aspektin kurativ dhe depistimin e popullatës?
Në kontekstin e zbulimit të hershëm, përparësi të veçantë Komiteti i Kontrollit të Kancerit i jep ndërtimit të programeve të depistimit kombëtar, duke pasur parasysh që një program i vërtetë depistimi për popullatën (jo të detyrueshëm, por të këshillueshëm) është një ndërmarrje tepër komplekse, e cila kërkon marrjen parasysh të shumë aspekteve që ndryshojnë nga vendi në vend. Ka dy vjet që ka filluar vaksinimi ndaj hepatitit B si një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të heparit (mëlçisë). Pas vitit '94 kjo vaksinë është futur në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Por fushata jonë ka pasur si fokus të lindurit para '94, që praktikisht janë dhe të pambuluar nga kjo vaksinë. Për një afat pesëvjeçar parashikojmë të fillojmë dhe vaksinimin ndaj human papiloma virus, që mbron femrat nga kanceri i qafës së mitrës, vaksinë kjo që duhet të aplikohet tek femrat para fillimit të jetës seksuale. Për t'ju dhënë juve një tablo të qartë të rëndësisë së kësaj të fundit dhe me që më pyetet se ku jemi në krahasim me Europen po ju them se edhe në vende mjaft të zhvilluara si Italia kjo vaksinë nuk u është rimbursuar femrave që kanë lindur para vitit 1995. Do të vijojmë me fushata kombëtare të depistimit për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës. Vijmë nga një eksperiencë e kënaqshme e programit Interreg të zbatuar në vendin tonë, duke bërë të mundur zbulimin në faza të hershme të një numri të madh rastesh. Qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të veçantë shtimit nga viti në vit të buxhetit për kurat ndaj kancerit në të gjitha stadet e diagnostikimit. Mjafton të përmendim faktin e rritjes së buxhetit nga 3 milionë vitin e kaluar, në mbi 5 milionë dollarë këtë vit vetëm për barnat, përkatësisht citostatikët. Rëndësi të veçantë ka trajnimi i vazhdueshëm bashkëkohor i stafit mjekësor infermieristik, që merret me trajtimin e kancerit, rritja e cilësisë dhe modernizimi i aparaturave mjekësore si dhe ngritja e qendrave të afta për të ofruar shërbime në këtë fushë.
Ju thatë se një nga katër shtyllat ku do të fokusohet puna e komitetit është edhe trajtimi i të sëmurëve në stad të avancuar, cilat janë masat që do të merren në këtë drejtim?
Një tjetër pikë e rëndësishme e punës së këtij komiteti konsiston edhe në përmirësimin e politikave të kujdesit paliativ. Kjo merr një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh që kujdesi paliativ merret me kontrollin e dhimbjes dhe kujdesin e gjithanshëm për rastet terminale( të sëmurët rëndë drejt fundit), bëhet fjalë për kujdesin ndaj pacientëve që janë të pakurueshëm dhe që në fakt janë një pjesë shumë e madhe e pacientëve që vuajnë nga kanceri. Ky kujdes fillon që nga momenti i diagnostikimit të sëmundjes e deri në momentet e fundit, me kujdesin në spital ose në shtëpi. Trajtim paliativ do të thotë përkujdesje në kuptimin më esencial të fjalës, kujdes i cili është sa kompetent nga ana profesionale, aq edhe human. Përkujdesje që u jepet njerëzve që përballen me vdekjen nga njerëz që nuk kanë frikë të përballen çdo ditë me të. Komiteti Kombëtar i Kontrollit të Kancerit synon që kujdesin paliativ ta bëjë pjesë të planit kombëtar të shëndetit dhe të mbulojë të gjithë personat në nevojë. Vëmendje të veçantë ky komitet do t'i kushtojë trajnimit të personelit mjekësor, që do të thotë përfshirja në kurrikulat universitare për mjekët e familjes infermierët dhe farmakologët në mënyrë që ta ngrenë në nivelet më të larta ofrimin e shërbimit ndaj këtyre pacientëve.
Duke pasur parasysh dhe deklaratat e kreut të Qeverisë në lidhje me ngritjen e strukturave të posaçme për onkologjinë. A mendoni se ky komitet ka finalizuar suksesin e tij të parë, sensibilizimin më të madh të strukturave qeverisëse në nivele të larta?
Përkundrazi, ky komitet ëshë materializim në praktikë i sensibilitetit të lartë të Qeverisë shqiptare në lidhje me një patologji kaq të rëndësishme dhe me një impakt tepër të madh në popullatën shqiptare. Sensibilitet, i cili ka qëne konstant dhe promotor i të gjitha nismave të ndërmarra vitet e fundit në luftën kundër kancerit. Këtu gjej rastin të përmend impenjimin dhe mbështetjen e madhe të Kryeministrit Berisha, të doktoreshë Liri Berisha, kryetares së Kuvendit Znj. Topalli etj. Përfshirjen e tyre në një sërë iniciativash siç janë ato në mbështetje të pacienteve talasemikë, me leucemi, fushatave te sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, të qafës së mitrës etj.
Pikërisht në këtë pikë, jo më larg se një muaj, gjatë një takimi me përfaqësues të shëndetësisë të Regione Emiglia Romagna, Kryeministri ka bërë publike idenë e ngritjes së një Instituti për Tumoret, ide që është diskutuar jo pa replika në komisionin e shëndetësisë dhe gjatë mungesës së opozitës. çfarë sjell ngritja e një Instituti për Tumoret?
Personalisht duke ju referuar edhe eksperiencës sime profesionale jo të shkurtër si kirurg në perëndim, bëj pjesë tek ata njerëz, të cilët mendojnë se tashmë janë pjekur kushtet dhe rrethanat që Shqipëria të ketë një institut të tillë, mendim i cili ka gjetur mbështetjen edhe të anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit si dhe të aktorëve kryesorë të përfshirë në luftën ndaj tij. Krijimi i një instituti onkologjik synon organizimin më të mirë si nga ana e marrjes së informacionit, shfrytëzimit të tij për politikat e luftës kundër kancerit, menaxhimit më eficent të burimeve financiare dhe njerëzore, ashtu edhe në orientimet dhe zgjedhjen e strategjive për luftën ndaj kancerit në të gjitha fazat e kësaj sëmundjeje.
Në analizën e një prej personave promotorë të këtij instituti, cila do të jetë e ardhmja e strukturave onkologjike në vendin tonë?
E thashë edhe më parë, ideja e institutit ka gjetur mbështetje të gjerë nga shumica e aktorëve. Buxheti për problemet onkologjike rritet nga viti në vit. Mendoj se ngritja e një instituti të tillë do të sjellë një menaxhim më të mirë të resurseve dhe burimeve financiare, pasi personat që janë në vijën e parë të luftës do të jenë ata që do të zgjedhin mënyrën e menaxhimit, përcaktimin e politikave, gjë që padyshim do të ndikonte në mënyrë pozitive. Një gjë është e sigurt, përpjekjet dhe sforcot tona për të gjetur strategjinë më efikase për trajtimin dhe luftën ndaj kësaj sëmundjeje nuk do të reshtin kurrë, sepse siç shprehet edhe Thomas Mann: "A man's dying is more the survivor's affair than his own". (Vdekja e një njëriu është më e rëndë për të afërmit e tij, se sa për ata vetë.)
Puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Kancerit duket se është "përballja e radhës" së kirurgut, që sot drejton Komitetin Kombëtar të Kancerit. Një punë që nuk mund të lërë jashtë profesionin e tij si specialist i kësaj fushe, por edhe sensibilitetin e dhjetëra rasteve të rënda që gjejnë zgjidhje në zyrën e zv/ministrit të Shëndetësisë. Dhe kur marrëveshjet shtetërore nuk mjaftojnë, në funksion vihen edhe lidhjet personale me mjekësinë e përtej Adriatikut, mjafton që rasti të gjejë zgjidhje. Ta bësh të flasë për Komitetin Kombëtar të Kancerit është më e thjeshtë se të të pohojë se ka qenë një nga mbështetësit e ngritjes së Institutit të Tumoreve. Nga motoja "Kanceri i së nesërmes mund të parandalohet sot" deri në kujdesin paliativ dhe përfshirjen e tij në kurrikulat e Fakultetit të Mjekësisë, të gjitha pjesë të një strategjie për luftën kundër tumoreve, e para e këtij lloji në vendin tone.
Janë rreth 4000 raste të reja që zbulohen çdo vit me lloje të ndryshme tumoresh në vendin tonë. Pjesa më e madhe në stad të avancuar, çka do të thotë pak shpresa për jetën. Kanceri mbetet i dyti në strukturën e përgjithshme të vdekshmërisë për numrin e vdekjeve që shkakton. çka do të thotë se një strategji kombëtare për këtë sëmundje në mënyrë që të sigurohet parandalimi, diagnostikimi i hershëm, por edhe kurimi është kthyer në një domosdoshmëri. Tashmë prej pak muajsh është bërë një hap përpara. është riaktivizuar Komiteti Kombëtar për Kontrollin e Kancerit si një organ konsultativ, i cili siguron një përfaqësim të zërave nga bota akademike (Fakulteti i Mjekësisë), mjedisi spitalor i specializuar, politikëbërësit dhe vendimmarrësit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ai do të orientojë politikat drejt pakësimit të numrit të të sëmurëve me kancer, shtimit të mbijetesës së tyre, përmirësimit të cilësisë së jetës në sëmundje dhe lehtësimit të vuajtjeve. Ky komitet bashkërendon trysninë në rritje nga popullata për parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e sëmundshmërisë, kapacitetet teknike e financiare me rigorozitetin shkencor, duke u mbështetur në fjalën e fundit të shkencës dhe tekonologjisë dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtare. Për të ditur më shumë se çfarë po bëhet konkretisht gazeta ka përgatitur këtë speciale.
Alban Ylli: Prioritet, sensibilizimi i popullatës
Për secilën nga 4 kolonat kyçe ku do të fokusohet puna e Komitetit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit është ngritur nga një grup i posaçëm pune, që brenda qershorit do të dorëzojë draftet me çështjet më të rëndësishme që do shihen prioritare. Sa i përket parandalimit parësor, që është kolona e parë, kryetari i grupi të punës njëkohësisht dhe drejtori i Instituti të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i kontaktuar nga gazeta pohon se punohet për të nxjerrë në pah faktorët e riskut, ku mund të ndërhyhet për të pasur parandalim të një pjese të tumoreve. Sipas tij, riaktivizimi i Komitetit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit është një ndihmese e madhe për të gjithë shoqërinë, por edhe për vetë sistemin shëndetësor. "Ne jemi duke përgatitur draftin mbi masat që do të ndërmerren në fushën e parandalimit parësor. është mjaft e rëndësishme kjo pjesë, pasi siç dihet, nga tetë tumoret më të përhapura, katër prej tyre mund të parandalohen. Pas pak ditësh ne do të kemi edhe një takim me të gjithë aktorët, përfshi këtu edhe ndërkombëtarët dhe në fund të këtij takimi do të jemi akoma më të qartë për mënyrën si do të ndërhyhet në këtë drejtim", tha Ylli. Ai shtoi se parandalimi parësor kryesisht do të fokusohet në sensibilizimin dhe edukimin shëndetësor të popullatës. "Do të parashikohen fushata depsitimi, por edhe fushata të tilla ndërgjegjësimi për të sensibilizuar popullatën si për faktorët në risk, ashtu edhe për diagnostikimet (ku përfshihen pap-testi mamografia etj", tha kryetari i grupit të punës për parandalimin parësor të tumoreve, Alban Ylli.
Flasin kryetarët e grupeve të punës, Shahin Kadare dhe Agim Sollaku
“Zbulimi i hershëm e kurimi,ja masat që do të merren”
zirina llambro
Ai çka në fakt deri tani ka qenë në nivele mjaft të ulëta sa i përket kontrollit të tumoreve është zbulimi i hershëm i sëmundjes. Pjesa më e madhe e pacientëve në vend diagnostikohen nga kanceri në stad të avancuar dhe shpesh atëherë kur është tepër vonë. Në këtë drejtim sipas përfaqësuesve të Komitetit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit do të punohet fort. Kryetari i grupit të punës për zbulimin e hershëm, Shahin Kadare, vlerëson faktin e riaktivizimit të komitetit si një hallkë mjaft e rëndësishme për bashkërendimin e punës së të gjithë aktorëve. "E shoh si mjaft pozitiv faktin që ky komitet po merr përsipër hartimin e një strategjie kombëtare. Në këtë mënyrë do të kemi bashkërendim të punës në të gjitha nivelet e sistemit. është domosdoshmëri, pasi një tumor nuk mund të kurohet apo zbulohet nëse mungon një nga këto hallka", thotë Kadare. Nga ana tjetër sipas tij, grupi i punës po përpiqet të koordinojë të gjitha resurset për të mundësuar diagnostikim dhe zbulim të hershëm të sëmundjes. "Vetëm në këtë mënyrë për të gjithë pacientët e prekur do të ketë shanse më të mëdha për shërimin të pjesshëm ose përfundimtar dhe po kështu do të ketë më pak kosto, pasi dihet që të sëmurët me kancer edhe për shtetin kanë një kosto madhore. Kadare thekson se po punohet për përcaktimin e kushteve në të cilat do të bazohen programet e zbulimit të hershëm. Një kolonë mjaft e rëndësishme ku do të fokusohet komiteti është edhe aspekti kurativ. Kryetari i grupit të punës për këtë pjesë, Agim Sollaku, tha për gazetën se puna në këtë drejtim do të fokusohet si në aspektin e sigurimit të aparaturave më të mira të trajtimit të të sëmurëve, por edhe në futjen e medikamenteve që janë të domosdoshme për të siguruar kurimin e të sëmurëve. "Ngritja e komitetit është një hap përpara në këtë drejtim. Në aspektin kurativ po punohet, pasi dihet që ne kemi funksion këshillmor për hartimin e piketave më të rëndësishme, ku konsiston ndërhyrja për t'u siguruar pacientëve një trajtim sa më efikas. Këtu përfshihet stafi mjekësor, pjesa e aparaturave dhe medikamentet", tha Sollaku.