E Diel, 1 Nëntor 2026

Para dorazi në burgje, dosja në hetim



Burgjet shqiptare kanë mbetur aktualisht pa ushqime në mëshirën e rezervave të shtetit, pasi drejtori i Përgjithshëm Gazment Dibra ka anuluar tenderin. Prej një muaji ushqimet kryesore të burgjeve, si orizi, makaronat, sheqeri, vaji, fasulet etj, dërgohen nga magazinat e rezervave të shtetit, kjo për faj të kreut të Burgjeve, Dibra, i cili urdhëroi anulimin e tenderit të 12 majit të këtij viti me argumentet se duheshin ndarë në lote mallrat që duhet të bliheshin. Fondi i vënë në dispozicion për këtë tender është 32.284.258 lekë pa tvsh, të cilat aktualisht kanë mbetur pezull derisa të kryhet blerja e ushqimeve të domosdoshme për sistemin e burgjeve. Ndërkohë bëhet e ditur se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në prokurori Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për abuzimin me një faturë shlyerjeje të një përkthyeseje. Kështu, sipas KLSH-së: "Me urdhërpagese numër 86, datë 19 prill 2008, është likuiduar personi privat, përkthyese, për 93 600 lekë, për përkthimin e disa faqeve, nga anglishtja në shqip". Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kjo pagesë është kryer në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 1, datë 20 mars 2007 "Për blerjet me vlera të vogla". Kjo për faktin se gjatë kontrollit është vërejtur fakti se bashkëlidhur kësaj pagese, ka mungesë të theksuar të dokumentacionit justifikues. Kështu, ka rezultuar se urdhri i prokurimit është pa nënshkrimin e titullarit, apo personit të autorizuar prej tij. Pra është zhvilluar një procedurë e palegjitimuar nga kreu Dibra, apo ndonjë preson tjetër që ai duhet të autorizonte për ta përfaqësuar nëse nuk do ishte në institucion. Më tej kontrollorët e KLSH-së kanë dalë në konkluzionin se procesverbali i komisionit të blerjeve është vetëm me firmën e kryetarit të Komisionit pa firmat e anëtarëve të tjerë. Kjo ka hedhur hipotezën se komisioni ka qenë fiktiv dhe se emrat e përbërësve të tij janë shënuar vetëm për të justifikuar pagesën që do bëhej kundrejt personit që e ka përfituar atë. Ajo që ka befasuar kontrollorët ka qenë fakti se gjatë inspektimit të dokumentacionit për këtë shumë, ata kanë zbuluar se nuk gjendej në dosjen e dokumenteve një kërkesë e paraqitur nga ana e sektorit të interesuar për përkthimin e materialit. Për më tepër KLSH nuk kanë gjetur dokumente apo informacione të tjera që të tregojnë se është përkthyer ndonjë material. Po kështu nuk janë gjetur dokumente për të treguar se çfarë materiali është përkthyer. Ajo çka kanë gjetur në dosjen e kësaj pagese është një dokument që thotë se do të përkthehen 119 faqe. E gjithë kjo, shto edhe faktin se nuk ka faturë tatimore të furnitorit, ka çuar në dyshimin se Burgjet kanë abuzuar me këtë shumë, duke paraqitur dokumente fiktive. Mendohet se gjithë dokumentacioni në lidhje me këtë dosje është fiktiv dhe se paratë që kanë dalë nga arka e Burgjeve kanë përfunduar në drejtim të paditur. Në konkluzionin e nxjerrë për këtë rast, KLSH pohon se: "Për këtë shkelje është bërë përgjegjëse me procesverbalin tonë ish-përgjegjësia e Sektorit të Financës". Në fund Kontrolli i Lartë i Shtetit, thotë se ekspertët që kryen inspektimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ndodhur para fakteve të përmendura më sipër pohon se: "Kontrolli për ketë shkelje nuk del dot me konkluzion përfundimtar, pasi siç u tha me sipër, çështja është për vlerësim në organin e prokurorisë dhe konkluzionin do ta japë ky organ". Tashmë pritet që organi i akuzës i kryeqytetit, i cili ka marrë në dorë kallëzimin e KLSH-së të dalë me një konkluzion për këtë çështje.

93600 leke
të reja janë paguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për përkthimin e një materiali pa vërtetimet përkatëse nëse materiali është përdorur për institucionin.

Inspektimi, kushte të rënda te 313, të burgosurit në rrezik për jetën

TIRANE - Personat e paraburgosur në burgun "Jordan Misja" në kryeqytet, i njohur ndryshe edhe si burgu 313 janë të rrezikuar në çdo moment për shkak të infrastrukturës së lënë pas dore nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas një inspektimi të bërë nga Avokati i Popullit në datën 27 prill 2010, ka rezultuar së në burgun 313, tek banjot, në sektorin e dusheve, kutitë e instalimeve elektrike janë të pa mbuluara dhe të pa izoluara duke rrezikut kështu vënien e rrjetit elektrik në kontakt me ujin kur të burgosurit përdorin pajisjet e banjës. "Kutitë e instalimet elektrike në disa prej tualeteve ishin të pambuluara. Gjithashtu edhe lidhjet elektrike të bolierëve ishin të pa mbuluara. Disa tela vareshin deri në afërsi të kokave të dusheve dhe mund të vinin në kontakt me ujin", thuhet në raportin e inspektimit të Avokatit të Popullit. Sipas tij, "gjatë kontrollit në burgun 313 është vërejtur se në shumë qeli ajrosja nuk është e mjaftueshme dhe ndriçimi natyral është i kufizuar. Gjithashtu kushtet higjienike janë në gjendje jo të mirë". Avokati i Popullit thekson në raport se ka marrë ankesë të përbashkët nga të gjithë të paraburgosurit se numri i kabinave telefonike është i kufizuar. "Në çdo prej tre kateve kishte vetëm një kabinë telefonike. Kabina telefonike në katin e dytë dhe të tretë përdorej nga rreth 130 vetë secila. Të paraburgosurit qëndronin në radhë për të kryer bisedën telefonike. Kjo gjendje përbën shkelje të nenit 61 të V.K.M-së Nr. 303, datë 25.03.2009 "Për Miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve", i cili përcakton se bisedat telefonike zhvillohen nën kontroll shikimi e jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës, ndërkohë që i paraburgosuri nuk mund të bënte një bisedë normale pasi mund të dëgjohej nga të paraburgosur të tjerë të cilët prisnin radhën", thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, të paraburgosurit pretenduan se kontrolli i dhomave për gjetjen e sendeve të ndaluara bëhet duke dëmtuar sendet që ata posedojnë. Të paraburgosurit ngritën kërkesën që këto kontrolle të jenë të tilla që rrobat të mos hidhen në tokë dhe të mos shkelen me këmbë.

AP: Abuzim me çmimet tek burgu 313
Një tjetër anomali e gjetur në burgun 313, i cili është në varësi direkte administrimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është çmimi i produkteve që shiten në dyqanin e institucionit. "U konstatua se ato ishin të muajit Janar 2010. Për të shmangur abuzimet apo pretendimet e të paraburgosurve për abuzime sugjerojmë që kjo listë të përditësohet çdo muaj", thekson Avokati i Popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›