E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha kërcënoi, të përjashtohet, Kuvendi: Tahiri provokoi

TIRANE- Byroja e Kuvendit rrëzon kërkesën e 9 deputetëve PS për të marrë masën disiplinore të përjashtimit për 2 javë nga parlamenti, të kryeministrit Sali Berisha, për shkak të "fyerjeve dhe kërcënimeve" që ai lëshoi ndaj deputetit Sajmir Tahiri në seancën e fundit parlamentare .

E mbledhur gati 3 orë pas bërjes publike të letrës së deputetëve socialistë, byroja e Kuvendit e cilësoi kërkesën e PS, “si të pabazuar” dhe se reagimi ka adhur si provokim i Sajmir Tahirit. 

PS: BERISHA TE PERJASHTOHET NGA KUVENDI, KERCENOI TAHIRIN
Kërkesa e firmosur nga 9 deputetët PS i referohet seancës së 13 tetorit 2011, ku kryeministri Berisha iu drejtua deputetit Sajmir Tahiri. Deklarata në seancë ishte “Ti që flet nga vendi mund të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucët nga fëmijëria deri më sot, nga fëmijëria jote deri më sot. Ti e di mirë që unë të njoh mirë ty, ti e di mirë se ku je rrit dhe si je rrit, dhe cila është pasaporta jote. Këto i di ti. Në mos, shko pyet pak”. Tahiri duke folur sërish nga vendi replikoi vetëm duke thënë “Hajde provoje”.

Deputetët socialistë nënvizojnë në letër se “kjo shprehje dhe ky fjalor, është sjellje e përsëritur e të njëjtit deputet, edhe pse nuk është ndëshkuar kurrë siç parashikon Rregullorja e Kuvendit.”

Duke besuar se sjellja dhe fjalori i përdorur nga deputeti Sali Berisha nuk përputhet, me frymën e dialogut politik konstruktiv në sallën e parlamentit, por mbi të gjitha shkel haptazi përcaktimet e Rregullores së Kuvendit për sjelljen e deputetëve në sallën e Parlamentit deputetët "kërkojnë mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit për të marrë masën disiplinore të ndalimit 15 ditë të pjesemarrjes në seance plenare ndaj deputetit Sali Berisha si dhe me sanksionin financiar të mbajtjes së pagës për aq ditë sa zgjat masa disiplinore". Deputetët e bazojnë në nenin 65, pika 2 të Rregullores së Parlamentit.

Letra është firmosur nga deputetët Ditmir Bushati, Ilir Gjoni, Dashamir Peza, Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Eglantina Gjermeni, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj, Enkelejda Shkreli.

BYROJA: TAHIRI PROVOKOI AI DUHEJ PERJASHTUAR

Byroja u mblodh për t’u njohur e diskutuar me projekt-buxhetin e Parlamentit për vitin e ardhshëm. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi që, Sekretariati për buxhetin të shqyrtojë gjithashtu buxhetin para miratimit të tij në Qeveri.

Sa i përket kërkesës së 9 deputetëve të PS, Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. “Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare.” Thuhet në njoftimin për shtyp të parlamentit.

Më tej njoftohet se “byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye.”

Gjithashtu thuhte se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është shprehur në Byro se "ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e parlamentit.”
(s.gera/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›