E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha llogari për bashkëpunim me krimin

PS reagon pas takimit te Berishes me Policine. Deputetja socialiste Arta Dade ka deklaruar sot se “Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të inkriminuar". 

TIRANË- Në reagim të takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi sot me drejtues të Policisë së Shtetit pas ngjarjes me dritan Dajtin në Durrës, PS kërkoi që kryeministri të japë llogari për bashkëpunimin me krimin. Sekretarja për Marrdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade ka deklaruar sot se “Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të korruptuar e të inkriminuar. Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin e dhjetëra kriminelëve nga burgjet me leje të paligjshme për të ndihmuar qeverinë në një fushatë të pashembullt presionesh ndaj opozitës”.

Dade paralajëmron se ka prova për këtë bashkëpunim. “Ne disponojmë prova dhe fakte rrëqethëse, që ja kemi bërë të ditura partnerëve ndërkombëtarë dhe do ja bëjmë të ditura edhe opinionit publik shqiptar për bashkëpunimin konstant të këtij pushteti me krimin”.
Sipas PS, Kryeministri Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero.
“Sali Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero janë pa asnjë kuptim pas bashkëpunimit të tij me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë për ta mbajtur një pushtet që nuk buron nga vota e lirë e popullit, po nga deformimi i plotë i saj”, u shpreh Dade.

Gjashtë ditë pas rënies në krye të detyrës të 4 oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari, në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, Kryeministri Berisha u takua sot me drejtues të Policisë së Shtetit. Ai deklaroi se statusi i punonjësit të Policisë së Shtetit, i rënë në krye të detyrës do të rishqyrtohet nga themeli me qëllim që familjet e policëve të rënë, përveç njerëzve të tyre të dashur, të kenë çdo gjë tjetër.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›