E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Do t’i kërkoj Shqipërisë veton për Maqedoninë në NATO

 

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, ka deklaruar se do t’i kërkojë kryeministrit e presidentit shqiptar të vendosin veton për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, nëse Shkupi vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve. “Mendoja t’i kërkoja kryeministrit Berisha, që Shqipëria të përdorë veton ndaj Maqedonisë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve. Por kisha shqetësimin, se do më keqkuptonte dhe për këtë vendosa të hap këtë debat në një tjetër rast”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së për mediat në Maqedoni. Veç kësaj planet e Thaçit prekin edhe bojkotin e Parlamentit nga partia e tij edhe pse ndërkombëtarët i kanë kërkuar të mos ta hedhë një hap të tillë për të mirën e Maqedonisë. “Mendoj se të dy ambasadorët, ai i BE-së, Fuere dhe Riker i SHBA-se janë miq të PDSH-së, miq të shqiptarëve dhe miq të Maqedonisë. Kam mirëkuptim të plotë për shqetësimin e tyre, vetëm Qeveria nuk shqetësohet”, ka shtuar ai duke shprehur me vendosmëri se do ta bojkotojë punën e Kuvendit të Maqedonisë, duke filluar nga java e ardhshme. “Ky vendim i PDSH-së nuk është obstruksion. Ky vendim i PDSH-së është parandalim. Ne mendojmë se në mënyrë korrekte e kryejmë punën e opozitës dhe i parandalojmë punët e këqija që mund të ndodhin”, tha Thaçi. Duke komentuar Marrëveshjen e Ohrit në prag të përvjetorit të nënshkrimit të saj, Thaçi përsëriti qëndrimin se kjo marrëveshje “është jofunksionale dhe e shkatërruar”, dhe i ka bërë thirrje BDI-së që ta braktisin Qeverinë, në mënyrë që “të mos jenë bashkëveprues të politikës së keqe”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›