Komuniteti Mysliman: Rusheku, nuk ka respekktuar KMSH-në
Në një deklaratë shtypi, KMSH, tha se Rusheku, është informuar verbalisht me telefon dhe sms për mbledhjen
TIRANE- Një ditë pas intervistës së dhënë në gazetën "Shekulli", nga nënkryetari i shkarkuar i Komunitetit Mysliman, Saimir Rusheku, institucioni më i lartë Islam në vend, ka reaguar në lidhje me akuzat e hedhura ndaj tyre për shkarkimin e numrit dy. Në deklaratën për shtyp të drejtuesve të myslimanëve në vend, pohohet se akuzat e Rushekut ndaj tyre janë të pavërteta.
"Kryesia e KMSH në mbledhjen e radhës me datë 9 tetor 2009, mes vendimeve të tjera për qarkullim kuadri, ka vendosur që edhe z. Rusheku të qarkullojë me motivime të justifikueshme brenda normave të statutit të KMSH. Ai jo vetëm që ka neglizhuar në dëm të institucionit duke mos kryer detyrimet fetare që statuti i ngarkon, por është bërë edhe pengesë në zhvillimin e Komunitetit Mysliman, shoqërisë dhe kombit duke mos ndjekur linjën zyrtare dhe tradicionale të KMSH"
"Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ndjen të nevojshme të reagojë ndaj akuzave që z. Saimir Rusheku (ish nënkryetar i KMSH) bëri në intervistën dhënë gazetës Shekulli datë 24 Tetor 2009, duke theksuar se këto akuza nuk janë aspak të vërteta". Në këtë intervistë Rusheku, pohoi se ai ishte shkarkuar në rrugë të kundraligjshme duke shkelur në këtë mënyrë statutin e Komunitetit.
Për kundër këtij pretendimi, Zyra e Shtypit e institucionit të Klerit Mysliman tha se z. Saimir Rusheku është njoftuar për mbledhjen e radhës si verbalisht dhe me anë të një sms-je.
"Ai nuk i është përgjigjur urdhrit për paraqitje në mbledhje duke arsyetuar me një justifikim familjar. Disa ditë më vonë, ai vetë pohoi, në prani të të gjithë stafit, se për këtë mbledhje ishte i informuar verbalisht dhe me sms por nuk kishte marrë pjesë për arsye personale",- thuhet në deklaratë.
Në të kundërt, nënkryetari i shkarkuar, akzuoi se përveç veprimeve të dyshimta të krerëve të Komunitetit në drejtim të shkarkimit të tij, ai tha se kishte vërejtur edhe shkelje dhe probleme të tjera. Në lidhje me shkarkimin, në deklaratën e Komunitetit Mysliman thuhet se "Neni i 25 i Statutit të KMSH paragrafi 6 thotë se kompetencat e Kryetarit dhe Kryesisë së KMSH lejojnë emërimin dhe shkarkimin e nënkryetarit e të tjerëve, si dhe bën lëvizjen dhe uljen në detyrë të tyre, duke ia kaluar për miratim më pas Këshillit të Përgjithshëm".