PS: Berisha të heqë dorë nga vjedhja e mandatit në Tiranë

Partia Socialiste ka bërë me dije sot se është e gatshme t`i hapë rrugë dialogut me mazhorancën vetëm nëse hiqet dorë nga vjedhja e mandatit të saj në Tiranë. Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Ditmir Bushati theksoi se për të dialoguar me opozitën kryeministri Berisha duhet të gjithashtu të respektojë shtetin e së drejtës dhe institucionet ndërkombëtare, pastaj të nxjerrë nga sirtari i pluhurosur rezolutën tonë për Kuvendin të propozuar.
“Përmbushja me rigorozitet e tyre sikundër prioriteteve të tjera do t`i hapte rrugën procesit të shtetndërtimit”, bëri të ditur në konferencën për shtyp, Ditmir Bushati.
Duke përshëndetur deklaratat e ndërkombëtarëve për situatën politike në Shqipëri, Bushati theksoi se dhe Partia Socialist i bashkohet thirrjes së tyre për përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit.
Sipas Bushatit konkluzionet e ndërkombëtarëve flasin qartë se Berisha e tjetërsoi rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë ndërsa shtoi se numërimi i fletëve të kontestuara në KQZ nuk është gjë tjetër veç një falsë që shfaqet përpara shqiptarëve.
“Farsa që vijon të shfaqet para syve tanë nga tavolina e Ristanit në KQZ, përdorimi politik i Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk vuri në vend drejtësinë e kërkuar dhe mospranimi i ekspertizës ndërkombëtare nga ana e qeverisë prej një institucioni prestigjioz si Komisioni i Venecias, siç i ka hije një vendi e shoqërie Europiane, përbëjnë vetëm disa prej fakteve se përse zgjedhjet nuk përmbushen standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike” theksoi Bushati.