“Shqipëria po punon me seriozitet për marrjen e statusit të vendit kandidat”

Haxhinasto merr pjesë në forumin “BE-Ballkani Perëndimor”, në Luksemburg
Në përfundim të Presidencës Hungareze u mbajt në Luksemburg forumi tradicional i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Në këtë takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ku i pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto. Ky takim u drejtua nga Përfaqësuesja e Lartë, Baronesha Ashton dhe të ftuar ishin Komisioneri Fyle e përfaqësues të organizatave rajonale.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Haxhinasto theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një përparim të konsiderueshëm duke kaluar nëpërmjet një transformimi të madh.
“Në këtë proces ka ndryshuar rajoni dhe vetë vendet e këtij rajoni. Shqipëria është pjesë e këtij ndryshimi dhe ka ofruar kontributin e saj të vlerësuar për të sjellë ndryshimin e dëshiruar në rajon. Kjo politikë është inkurajuese dhe ka rëndësi në vazhdimin e reformave të ndërmarra në vend”, u shpreh Haxhinasto.
Gjithashtu ai vlerësoi më tej edhe angazhimin e vazhdueshëm të BE-së dhe vendeve anëtare ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit. Lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat Shqipëria tha zëvendëskryeministri Haxhinasto, po punon me angazhim dhe seriozitet maksimal për të realizuar planin kombëtar të veprimit për realizimin e 12 prioriteteve të përcaktuara nga opinioni i Komisionit Evropian i vitit të kaluar.
Ministri i Jashtëm Haxhinasto ka theksuar gjithashtu për të mundësuar një gjë të tillë në një kohë sa më të afërt, duhet edhe kontributi dhe angazhimi serioz i opozitës. Duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 8 majit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Haxhinasto deklaroi se në pritje të vendimit përfundimtar, institucionet e pavarura po veprojnë sipas ligjeve, duke demonstruar se rruga institucionale dhe në respekt të ligjit dhe kushtetutës së vendit është e vetmja rrugë për të arritur në përfundim të procesit zgjedhor.
“Institucionet në Shqipëri janë funksionale dhe të afta për të zgjidhur këtë situatë, bazuar vetëm në ligj. Duhet të përqendrohemi në reformën zgjedhore, e cila duhet të arrihet nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit politik. Konsensusi politik duhet për bërjen e ligjeve sa më të mira, zbatimin dhe respektimin e tyre”, theksoi zëvendëskryeministri Haxhinasto.
Ai gjithashtu përshëndeti pjesëmarrjen e Kosovës dhe Ministrit të Jashtëm, Hoxhaj në këtë forum, duke theksuar më tej karakterin gjithëpërfshirës të politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm Haxhinasto kërkoi që Kosova, jo vetëm të jetë pjesë e formateve në kuadër të BE-së, si ky i sotmi, por edhe në të gjitha nismat rajonale.
Gjatë punimeve të forumit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, pati takime me Komisionerin Fyle dhe Baroneshen Ashton, si dhe takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Greqisë, Hungarisë, Sllovakisë, Ministrin britanik për Evropën, etj.