Universiteti i Mjekësisë, Berisha privatizoi idenë e Vasilit
Zotimi i kryeministrit Berisha për ngritjen e një Universiteti Mjekësor në Shqipëri, përveçse është i vonuar, rezulton gjithashtu edhe një ide e kopjuar. Edhe pse Berisha u përpoq ta shiste këtë ide si një krijim të tijin, në të vërtetë kjo ka qenë një ide e sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ky i fundit i kishte dërguar kryeministrit Berisha një letër, që në fillim të qeverisjes së tij, ku i kërkonte ngritjen e një Universiteti Mjekësor në Shqipëri. Gazeta “Albania” zbardh pasazhe të letrës që sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i ka dërguar kryeministrit Berisha në lidhje me këtë çështje. Në këtë letër, Vasili e ka konsideruar ngritjen e një universiteti mjekësor në Shqipëri me shumë efekte pozitive. “Realiteti i ri shqiptar, ku integrimi është prioritet i prioriteteve, na mëson se ky integrim i yni do të kalojë së pari dhe mbi të gjitha nëpërmjet vlerave intelektuale që prodhohen çdo ditë dhe ku komunikimi ynë me institucionet e njëjta në Europë, Amerikë e gjetkë, kërkon edhe nga ne organizime të brendshme më dinjitoze që lehtësojnë komunikimin.
Universiteti Mjekësor është një hap i tillë vërtet integrues sepse Ju edhe nga eksperienca direkte në komunikimin akademik e dini fare mirë se komunikimet shkencore dhe ndërtimi i urave të komunikimit me Perëndimin nëpërmjet tyre kanë ecur shumë më shpejt edhe se komunikimet politike. Universiteti Mjekësor do të institucionalizonte dhe do të lehtësonte një proces shumë të gjerë dhe intensiv të integrimit të vlerave të profesionistëve shqiptarë të fushës së mjekësisë, proces që ka filluar por i pambështetur nga instrumentet organizative dhe dinjitoze për ta bërë këtë. Një hap i tillë i domosdoshëm besoj se ka edhe konsensusin shumë të gjerë të profesionistëve të mjekësisë së të gjitha niveleve, si të atyre akademike, por edhe të atyre që militojnë në mjekësinë e bazës aq të rëndësishme për stabilitetin e sistemit shëndetësor. Ndërmarrja e një sfide të tillë nuk mund të presë më. Ajo do të shënonte për shëndetin e publikut dhe për ruajtësit e këtij shëndeti marrjen e një dimensioni të ri, por do të ishte edhe një qetësim edhe për shpirtrat militues shembullorë të profesorëve tuaj të vjetër, ku një pjesë e tyre nuk jeton më, për t’i dhënë atë përmbajtje e formë që ata e aspiruan por kurrë nuk e panë dhe që sot do të ishte Universiteti Mjekësor i Tiranës”, - thuhet ndër të tjera në letrën e Vasilit dërguar kryeministrit Berisha.
29 Janar 2009