PS: Bregu mori 10 HEC-e pak ditë para zgjedhjeve

Opozita kërkon largimin e kreut të QKR-së, i cili ndryshoi dokumentet e regjistrit për të ndihmuar Bregun
TIRANË - Partia Socialiste akuzoi dje ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, se ka marrë 10 hidrocentrale pak ditë përpara zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi se në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, qeveria ishte e ndarë përgjysmë, ndërsa gjysma e qeverisë vidhte votat, gjysma tjetër vidhte pasuritë publike të shqiptarëve, duke shpejtuar të merrnin gjithçka që mundnin, në rast se vjedhja e votës nuk rezultonte e suksesshme.
Ajo sqaroi se vendimi për dhënien e këtij koncesioni 323 milionë Eurosh është marrë, në datën 11 qershor të vitit 2009, pak ditë përpara zgjedhjeve të vjedhura të 28 qershorit.
"Janë dhënë me koncesion për 35 vjet hidrocentralet - "Borovë", "Sebisht Nr. 2", "Prodan Nr. 4", "Prodan Nr. 5", "Okshtun Nr. 6", "Okshtun Ekologjik", "Tërnova Nr. 7", "Lubalesh Nr. 9", "Lubalesh Ekologjik", dhe "Gjoricë Nr. 10", pra në total plot 10 hidrocentrale me prodhim vjetor prej 153 milionë e 786 mijë e 127 KW/O.
Vlera totale e këtij investimi kap 32 milionë Euro për ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve. Me kapacitetin që kanë, fitimi nga ky investim do të jetë 323 milionë Euro", deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.
Në një tjetër deklaratë publike, selia rozë ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për manipulimin e të dhënave për interes të ministres së Integrimit.
Përmes deputetes Olta Xhaçka, Partia Socialiste, duke reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të QKR, i ka kërkuar atij të kuptojë mirë pozicionin e zyrtarit që mbartni mbi supe.
"Fakti që jeni emëruar Drejtor nga Ministri i Ekonomisë, njëherazi koleg i ministres Bregu, nuk ju jep asnjë të drejtë as ju që të manipuloni dokumentacionet zyrtare, dhe aq më pak ministres Bregu që t'ju japë urdhra", u shpreh Xhaçka.
Duke iu drejtuar drejtorit të QKR, ajo tha se fakti që Prokuroria ende nuk ka mbërritur në zyrën e tij, edhe pse duhet ta kishte ndërmarrë këtë veprim në momentin e parë kur opozita zbardhi të vërtetën e manipulimit tuaj, nuk duhet t'ju bëjë të ndiheni të fortë në pozitat që keni. Sipas saj, kompania "MIA International" në datën 27 gusht 2010, figuronte me status aktiv, me ortak dhe administrator bashkëshortin e Majlinda Bregut.
"Papritmas, e njëjta kompani figuroi fillimisht me një ortak mangët dhe pa administrator, dhe vetëm 50 minuta më pas, statusi i saj u kthye nga aktive në të pezulluar. Bëni mirë të mos mbroni të pambrojtshmen, por të jepni dorëheqjen për të shpëtuar nderin tuaj personal, pasi morali i kësaj qeverie ka marrë fund me kohë", kërkoi deputetja e PS.