Majko: Protesta, që të mos përfundojmë si në 1997

Deputeti socialist nuk përjashton zhvillimin e protestave në shtator për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve
"Zgjedhjet e parakohshme, skenar që duhet të zhvillohet absolutisht me PD, por pa Sali Berishën"
TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi dje se nisja e protestave në shtator është zgjidhja e fundit që mund të ketë opozita për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Në një prononcim për mediat, anëtari i Kryesisë së selisë rozë sqaroi se dalja e qytetarëve në sheshe është një opsion që vendi të mos degradojë siç ndodhi në vitin 1997.
"Më shumë se sa një zgjedhje e opozitës, çështja e protestës edhe në sheshe është zgjidhja e fundit që mund të ketë për të luajtur rolin e vet, për të bërë një presion, për të mos degraduar më keq kjo histori që të mos na ndodhi si në 1997, nuk e marr sensin se si u zhvillua 1997, por po marr vetëm një detaj, kur presidenti dhe ish-presidenti më pas i asaj kohe, akuzonte opozitën, e cila ishte pothuajse e defaktorizuar se ajo opozitë e asaj kohe kishte organizuar piramidat që ishin zhdukur pa lënë gjurmë me 1 miliardë e 200 milionë eurot e shqiptarëve", deklaroi Pandeli Majko.
Për ish-kryeministrin e Shqipërisë, problemi më i madh për vendin është qeverisja aktuale. Sipas tij, problemi është ky konglomerat që quhet qeverisje, që përfshin lloj-lloj historish politike brenda vetes.
Ai tha se tanimë zoti Berisha, është fakt, po e rinegocion qeverinë e tij edhe me futjen e partisë së dytë çame në koalicion, por kjo është një histori, e cila nuk ka të bëjë fare me transparencën e publikut.
Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i Partisë Socialiste mohon në mënyrë kategorike që partia që përfaqëson të mos jetë pjesë e zgjedhjeve.
Anëtari i Kryesisë së selisë rozë siguroi se çështja e konkurrencës dhe futjes në konkurrencën demokratike të Partisë Socialiste në sistemin zgjedhor politik të pas viteve '90-të nuk është vënë asnjëherë në diskutim dhe nuk beson se do të vihet ndonjëherë në diskutim. "Ajo që ne po diskutojmë dhe do të mbetet një problem shumë i madh për sistemin politik shqiptar është realizimi i rezultateve të pranueshme.
Nuk janë historitë qesharake të klubeve të politikës që ti kërkon të tolerojë këtu që ti të më tolerosh mua këtu, është pazar i paimagjinueshëm dhe realisht i pazbatueshëm", vlerësoi deputeti i grupit Parlamentar Socialist.
I pyetur mbi kandidaten e opozitës për zgjedhjet e ardhshme vendore në Bashkinë e Tiranës, zyrtari i lartë socialist u shpreh se të panjohurat që janë shqetësuese nuk ndodhen në kampin socialist, por ato janë tek Kryeministri Sali Berisha.
"Kjo është një histori, e cila nuk besoj se ka shumë të panjohura, të panjohurat që sot krijojnë shqetësim tek qytetarët nuk janë tek partia Socialiste, të panjohurat janë tek mënyra e të sjellurit të një partie dhe për fat të keq tek individi, tek i cili drejton vendin", deklaroi deputeti i grupit Parlamentar Socialist.
Ndërsa, sa i përket një skenari për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, Majko theksoi se "ky është një skenar që duhet të zhvillohet absolutisht me Partinë Demokratike, por pa Sali Berishën".
Prej më shumë se një viti, Partia Socialiste ka kërkuar hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, por një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga Partia Demokratike, duke sjellë në këtë mënyrë zhvillimin e një krize politike në vend.
Për protestat
Më shumë se sa një zgjedhje e opozitës, çështja e protestës edhe në sheshe është zgjidhja e fundit që mund të ketë për të luajtur rolin e vet, për të bërë një presion, për të mos degraduar më keq kjo histori që të mos na ndodhi si në 1997, nuk e marr sensin se si u zhvillua 1997.
Për zgjedhjet
Ajo që ne po diskutojmë dhe do të mbetet një problem shumë i madh për sistemin politik shqiptar është realizimi i rezultateve të pranueshme. Nuk janë historitë qesharake të klubeve të politikës që ti kërkon të toleroj këtu që ti të më tolerosh mua këtu, është pazar i paimagjinueshëm dhe realisht i pazbatueshëm.