E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu kritikon gjyqtarët: Bandat s'mund të ndikojnë proceset

TIRANË- Me tone të ashpra i është drejtuar sot gjyqtarëve nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu gjatë një konference me krerër e gjykatave të shkallës së parë dhe të Apelit.
Ai ka lëshuar kritika në adresë të tyre, por pa përmendur raste konkrete, duke theksuar se një problem shumë i madh vazhdon të mbetet zvarritja e proceseve gjyqësore.
Duke folur për proceset gjyqësore, e në mënyrë të veçantë të dosjeve për bandat e rrezikshme Spahiu deklaroi prerë se "bandat nuk duhet të ndikojnë proceset gjyqësore". Sipas tij, avokatët mbrojtës të të pandehurve si anëtarë të bandave të rrezikshme bëjnë hapa akrobatikë për të zvarritur me vite proceset gjyqësore dhe për këtë gjyqtarët duhet të luajnë rol thelbësor.
Më tej Spahiu ka folur edhe për reformën në gjyqësor, që do të nisë me lëvizjen e 10-ra gjyqtarëve. Nuk është deklaruar se kur do të nisë lëvizja dhe sa gjyqtarë do të përfshijë, por sipas Spahiut kjo do t'i shërbejë reformimit të sistemit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›