E Diel, 1 Nëntor 2026

PS DEL KUNDER Hapja e kutive, kërkesë për referendum në KQZ

Një grup qytetarësh në Tiranë kanë paraqitur pranë KQZ-së një kërkesë për organizimin e një referendumi për hapjen e kutive të votimit. Përmes kësaj kërkese, qytetarët ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara.

NISMA PER RINUMERIMIN E VOTAVE/Një grup qytetarësh nga Tirana kanë paraqitur pranë KQZ një kërkesë për organizimin e një referendumi për hapjen e kutive të votimit. Në kërkesën zyrtare thuhet se do t’u kërkohet qytetarëve nëse janë dakord që të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i KQZ, Arben Ristani: “Kërkesa ka mbërritur, por do ta kthejmë për mangësi ligjore”. Flet nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi: “Rinumërimi i votave nuk mund të realizohet me referendum, kërkojmë komision hetimor për zgjedhjet”

Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t'u përgjigjen me PO ose JO. A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës? A duhet që rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile? A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja?
Grupi i qytetarëve është në pritje të përgjigjes që duhet t'i japë KQZ-ja, e cila sipas ligjit duhet ta bëjë këtë gjë brenda 20 ditëve. Andi Gjoliku, një nga nismëtarët e kërkesës për referendum, thotë se "ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës dhe se kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep Kushtetuta". I kontaktuar në telefon nga "Panorama", kreu i KQZ-së, Arben Ristani, pohoi se kërkesa ka mbërritur në institucionin që ai drejton. "Kërkesa ka mbërritur ditën e premte në KQZ, ndërsa administrata është duke parë anën ligjore të saj. Më informuan se ka disa mangësi, prandaj ne do t'ua kthejmë për disa plotësime e më pas do të vendosim në mbledhjen tonë të radhës", - u shpreh Ristani, i cili pohoi se ishte me pushime këto ditë. Mësohet se pas datës 20 gusht janë lajmëruar administrata dhe anëtarët e KQZ-së që të kthehen në punë, në mënyrë që të nisë aktiviteti normal i këtij institucioni. Në kërkesën e tyre, grupi i qytetarëve kërkon t'i paraprijë acarimit të krizës politike dhe kërkojë që qytetarët të marrin të drejtën e tyre në dorë për të vendosur. Një nga firmëtarët e kërkesës, Andi Gjoliku, tha dje se dhunimi i të drejtës për të vetëvendosur përmes referendumit do të pengonte ëndrrën evropiane. Sipas tyre, dekretimi i datës së zgjedhjeve vendore nga ana e Presidentit të Republikës do të çojë automatikisht në djegien e fletëve të votimit dhe kjo gjë sipas tyre mund të çojë në destabilizimin e vendit. Firmëtarët i kërkojnë KQZ, Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese të tregojnë kurajon e duhur dhe të mos ndikohen nga klanet politike në këto momente të krizës së rëndë politike që po kalon vendi, ndërsa ftojnë dhe qytetarët të mbështesin vendosjen e demokracisë së drejtpërdrejtë përmes votës. Kriza politike në vend mbetet pa asnjë evoluim për shkak të pozicionit të pandryshuar të palëve. Opozita kërkon që transparenca e zgjedhjeve të kaluara të shtrihet deri te fletët e votimit, të cilat sipas saj, komisioni hetimor parlamentar duhet t'i rinumërojë sa herë materiali zgjedhor nuk e plotëson transparencën. Ndërsa maxhoranca këmbëngul në qëndrimin e saj se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në përputhje me ligjin ekzistues, nenin 178 pika 6 e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit me dërgimin e materialeve zgjedhore në Arkivën e Shtetit, fletët e votimit asgjësohen nga KQZ-ja. Ky është dhe momenti që firmëtarët e kërkesës për referendum janë nxitur për të shmangur djegien e fletëve të votimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›