E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Muajt e mjaltit”,kandidat përEuropian Film Award

Drejtori audivizualit në MoMA, Kardish: “Honeymoons”, ndër më të mirët e dekadës Tashmë vendimi se cilët janë filmat që do të konkurrojnë në edicionin e 23-të të Europian Film Award është marrë.

“Muajt mjaltit” (“Honeymoons”) filmi shqiptaro-serb me regji të Goran Paskaljeviç dhe skenar të Genc Përmetit është njëri prej tyre. Dy histori, një shqiptare e një serbe, i prezantohen Evropës. Nuk kanë asnjë pikë takimi, zhvillohen paralelisht, por synimi është i njëjtë, rendja drejt Europës së bashkuar, e cila nuk i hap edhe aq lehtë dyert për ballkanasit. Pas suksesit që kooproduksioni i parë shqiptaro–serb arriti të kishte në Venecia Film Festival, Toronto, Pousan, Abu Dhabi, çmimeve ne Vallalloid, Selanik, Cleavland, Festival des Alpes, në Francë, si dhe pjesëmarrjes në mbi 30 festivale në të gjithë botën, “Honeymoons” është përzgjedhur nga European Film Awards. Bëhet fjalë për një nga garat më prestigjioze të filmit në kontinentin e vjetër, i quajtur ndryshe edhe si Oscar European, edicioni i të cilit do të zhvillohet në Tallin më 4 Dhjetor 2010. Skenaristi dhe bashkëproducenti, Genc Përmeti, thotë se ftesa për të marrë pjesë erdhi javën e kaluar. “Kam nderin dhe kënaqësinë që t’ju informoj në emër të bordit të EFA-së, se “Honeymoons” është zgjedhur nga ana e komitetit, të jetë pjesë e filmave pjesëmarrës së edicionit të vitit 2010", - shkruan në ftesën dërguar Pascaljeviçit, zëdhënësi i EFA-së, Yves Marmion, teksa njofton se në këtë edicion do të marrin pjesë 20 filma nga 20 vende të Europës, përzgjedhur nga anëtarët e bordit të EFA-së dhe një numër ekspertësh, kineastë gazetarë, drejtues festivalesh. “Për “Honeymoons” është një sukses që mund t’i hapë dyert e kinemave në vendet e tjera europiane. Deri më tani filmi ka pasur distribucion në Francë nga Eurozoom, premiera e se cilës u zhvillua me 17 dhjetor në Zvicër, Gjermani dhe Spanjë”, - thotë Përmeti, teksa shton se ky film vazhdon ende të shfaqet në disa kinema, në qytete të ndryshme të Spanjës. është hera e parë që një produksion shqiptar përzgjidhet nga ky organizëm, për të marrë pjesë në garë, çka do të thotë një promovim i kinematografisë shqiptare në Evropë, edhe pse regjia mban emrin e Paskaljeviçit, një nga regjisorët më të njohur serbë, fitues i çmimit “FIPRESCHI” në vitin 1999 me filmin “Cabaret Balcan”. Të gjithë filmat pjesëmarrës në edicionin mund të kandidojnë për një çmim në kategoritë e regjisë më të mirë, aktorit, aktores, skenaristit, fotografisë, etj. Të gjithë filmat pjesëmarrës do të kalojnë përmes votimit të 2200 anëtarëve të EFA-së.
Distribuim në MoMA
Në edicionin e muajit mars, në revistën “Film Comment”, u angazhuan 40 kritikë, të cilët duhet të përzgjidhnin dhjetë filmat më të mirë të dekadës. Drejtori i audivizualit në MoMA (Muzeu i Artit Modern, një nga institucionet më të rëndësishme të llojit të vet) Laurence Kardish, renditi të dytin “Honeymoons”, duke i paraprirë distribucionit që filmi do të ketë në Amerikë së shpejti. Sipas Genc Përmetit, në 9 shtator “Honeymoons” do të ketë premierën në mini distribucionin që është ndërmarrë nga MoMA në New York. Deri më tani, “Honeymoons” është shfaqur ne kontinetin amerikan, në festivalet e filmave në Toronto, Santa Barbara, Cleavland, Miami, New York Human Right, New York, etj.
Filmi
Vetë producentët e kanë pranuar se bëhet fjalë për një film politik. është përpjekja e popujve ballkanikë, kryesisht shqiptarë e serbë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. E ndërsa dëshira për të qenë pjesë e saj është shumë e madhe, duket se Europa, nuk ende gati të pranojë rreth saj popuj nga rajone të nxehta. është një periudhë pritjeje, të cilën realizuesit e filmit e japin përmes historive të dy çifteve; një shqiptar e një serb, që të ardhmen e tyre më të mirë e shohin përtej kufijve. Por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Të kesh një vizë kalimi, nuk mjafton. Në film interpreton një kast aktorësh të zgjedhur, shqiptarë e serbë, si: Nebjosa Milovanovic, Jalena Trkulja, Jozef Shiroka, Mirela Naska, Bujar Lako, Yllka Mujo, Lazar Ristovski, Petar Bozovic, Rozeta Feri, Kristaq Skrami, Timo Flloko, çun Lajçi, Myzafer Zifla, Genti Kame, Fabrizio Buompastore, Domenico Mongelli, Aron Balazs.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›