E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Deputetja Vokshi të lërë imunitetin për të ndihmuar hetimet

Opozita Hysi: Akuzat janë automatikisht të vërtetuara. Ky është korrupsion i pastër

Deputetja dhe ish-këshilltarja e Kryeministrit, Albana Vokshi, është shënjestruar sërish nga selia rozë, këtë herë përmes nënkryetares së grupit parlamentar Vasilika Hysi, e cila ka vijuar akuzat për korrupsion, fshehje të ardhurash dhe konflikt interesi. Sipas zonjës Hysi, fshehja e të ardhurave është vetëm shkelja e parë, me të cilën deputetja e Partisë Demokratike Vokshi ka dashur të japë një bilanc tjetër të të ardhurave dhe depozitave që zotëron së bashku me bashkëshortin e saj. “Zonja Vokshi thotë se burri i saj ka një aktivitet ekonomik prej fillimit të viteve ‘90, por siç tregojnë dokumentet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, të dy kompanitë e Arjan Tartarit të përfshira në veprimtaritë e mësipërme janë krijuar pas vitit 2005, ndërkohë që koncesionet janë marrë në periudhën kur Albana Vokshi ushtronte detyrën si këshilltare e Kryeministrit”, ka deklaruar Hysi. Në emër të Partisë Socialiste, Hysi i kërkoi deputetes së PS-së Vokshi të lërë imunitetin dhe t’i nënshtrohet hetimit të drejtësisë. “Zonja Vokshi në reagimin e saj tha se ishte gati të dorëzonte imunitetin nëse akuzat mbi të do të vërtetoheshin. Në fakt, zonja Vokshi duhet të bëjë të kundërtën. Ajo në fillim duhet të dorëzojë imunitetin për t’i hapur rrugën drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojnë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve. Nëse zonja Vokshi do të vazhdojë të fshihet pas mandatit të deputetes, atëherë nuk ka nevojë për deklarata të saja: akuzat janë automatikisht të vërtetuara. Ky është korrupsion i pastër dhe vjedhje e pasurisë kombëtare të shqiptarëve”, ka shtuar Hysi.

Vokshi

Fundjavën e shkuar, deputetja e Partisë Demokratike ka thyer heshtjen duke kundërshtuar akuzat e opozitës. Deputetja demokrate ka reaguar më 7 gusht përmes një deklarate për shtyp, duke nënvizuar se të gjitha ato çfarë janë thënë nga selia rozë janë shpifje, për të cilat ajo do t’i drejtohet gjykatës. “Lidhur me shpifjet dhe trillimet e turpshme të Edvin Kristaq Ramës do t'i drejtohem gjykatës, në mënyrë që të vë në vend dinjitetin dhe drejtësinë mbi këtë rast", është shprehur Vokshi. Ajo ka dhënë sqarime për ato çka akuzohet nga PS-ja, duke mos munguar të kundërpërgjigjet personalisht ndaj kreut socialist, Edi Rama. “Mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime të pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, unë do të zbatoj me përpikmëri kërkesat e tij. Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën a i ka ndërhyrë ndokush për shumë leje ndërtimi që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari, ka marrë nga bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005-s, periudhë në të cilën qeveriste PS-ja, kush ka ndërhyrë”, u shpreh deputetja demokrate, Albana Vokshi, në një përgjigje që njëkohësisht është akuzë për kreun e PS-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›