E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten kreditë e këqija, 12 për qind në qershor

Kriza BSH ngre alarmin për normën e lartë

Kreditë e pashlyera në banka janë rritur edhe në tremujorin e dytë të vitit, duke pasqyruar vështirësinë e bizneseve dhe individëve për të shlyer huat e marra në banka.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kreditë e këqija arritën në 12 për qind të totalit, nga 11.45 për qind që ishin një tremujor më parë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, pesha e kredive të këqija ndaj totalit të kredisë së dhënë është rritur me 3.3 për qind.
Bankat në Shqipëri kanë dhënë në total 457.6 miliardë lekë kredi për bizneset dhe individët. Nga këto, sipas Bankës së Shqipërisë, rezultojnë kredi me probleme, të cilat nuk shlyhen rreth 54.8 miliardë lekë ose mbi 500 milionë dollarë.

Të dhënat tregojnë se në vlerë shifra e kredive të këqija është rritur krahasuar me vjet me mbi 18 miliardë lekë, ose gati 50 për qind. Banka e Shqipërisë i ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë për të përballuar humbjet nga kreditë që nuk shlyhen. Rritja e kredive të këqija veçse cenon të ardhurat e bankave, ka edhe një sërë efektesh negative për ekonominë. Ato pengojnë kreditimin, pasi bankat detyrohen të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci për kreditë e këqija. Por, veç kësaj, humbjet nga kreditë që nuk kthehen ndikojnë direkt në rritjen e interesave për kreditë e reja që bankat japin për bizneset dhe individët.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›