Tiranë, tregjet e hapura jashtë standardeve
Tregjet e hapura të kryeqytetit në këtë sezon veror jo gjithmonë kanë sigurinë e duhur. Më problematike janë ato ku tregtohen mallrat ushqimorë. Në tregun e rrugës “Bardhyl”, në buzë të trotuarit shitet gjithçka, fruta e perime, produkte bulmeti, të cilat nuk plotësojnë asnjë standard për ruajtje dhe konservim. Qytetarët shprehen të shqetësuar për situatën, por edhe të detyruar t’i blejnë ushqimet te tregu më i afërt. “Po shikojmë që janë të hapura dhe kemi frikë t’i blejmë, nuk ka siguri. Fruta e perime i blejmë, por bulmetet jo. Por s’kemi ç’të bëjmë, këtu do të vijmë”, thotë një banore e lagjes.
Në ambientet e ish-uzinës “Dinamo”, tashmë i kthyer në një treg, gjen një mori shitësish që tregtojnë pa asnjë siguri qumështin, vezën dhe produkte të tjera të hapura. “Deri tani s’më ka dalë asnjë vezë e prishur, i blej gjithmonë këtu dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme”, thotë një konsumatorë. E njëjta situatë paraqitet edhe në tregun në rrugën “Don Bosko”, ku pavarësisht kontrolleve të inspektorëve, standardet e sigurisë mbeten të ulëta.
#