E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Do të mbështesim kërkesën e Prokurorisë

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, do të gjejë mbështetje nga grupi parlamentar i PS-së. Qëndrimi është bërë publik dje nga nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, gjatë një konference për shtyp, i cili ka pranuar se deputetët e opozitës do të votojnë pro heqjes së imunitetit të deputetit republikan. Numri dy i grupit parlamentar të PS-së, Braçe, është shprehur se "PS-ja mbështet Prokurorinë e Përgjithshme në zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit". Duke vijuar deklaratën e tij, Braçe ka theksuar se "PS është e gatshme të mbështesë çdo kërkesë që vjen në Parlament nga organi i akuzës për hetimet e mëtejshme lidhur me çështjen e Gërdecit". Sipas tij, grupi parlamentar i PS-së është i gatshëm të mbështesë luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit, pavarësisht emrave apo personave të implikuar në to, të cilët do të jenë objekt hetimi nga institucionet e larta të drejtësisë. Nënkryetari i grupit ka kërkuar që hetimet të vijojnë edhe më gjerë, duke mos u pozicionuar vetëm te një individ, por edhe në emra të tjerë. Partia Socialiste, pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit, në sallën e Kuvendit ka kërkuar që Kryeministri Berisha të dëshmonte para Kuvendit dhe organit të prokurorisë gjithë të vërtetën rreth kësaj tragjedie. Socialistët nuk janë mjaftuar vetëm me dorëheqjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, i cili, sipas tyre, nëse është përgjegjës për këtë tragjedi duhet të japë llogari deri më një para organit të prokurorisë, por kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Kryeministrit Berisha si një nga përgjegjësit kryesorë të gjithë asaj tragjedie. Gjithashtu, grupi parlamentar i PS-së ka gati një muaj që kërkon një raport të detajuar nga Kryeministri Berisha rreth tragjedisë së Gërdecit. Kërkesë kjo që ende nuk është realizuar nga Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila nga java në javë shtyn futjen e saj në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Por, pavarësisht kësaj shtyrjeje, grupi parlamentar i PS-së nuk ka hequr dorë nga kërkesa, duke ia rikujtuar kryetares Topalli në çdo seancë, se në Kuvend ende nuk është paraqitur raporti nga Kryeministri për tragjedinë e Gërdecit. Dy ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama publikoi në një konferencë për shtyp shkeljet e evidentuara deri tani nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke paraqitur edhe kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të tij si deputet. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është bërë nga rreth 22 faqe dhe në të janë dhënë në mënyrë të përmbledhur të gjitha shkeljet që organi i akuzës pretendon se janë bërë gjatë kohës kur Fatmir Mediu ka qenë ministër i Mbrojtjes. Kjo kërkesë e organit të akuzës do të merret në shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili në bazë të nenit 118 të rregullores së Kuvendit do të bëjë edhe shqyrtimin e saj. Në këtë nen thuhet se

heqja e imunitetit të deputetit do të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, imunitetin e mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën e parë parlamentare. Në këtë nen thuhet se deputeti për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në këshill me shkrim ose me gojë shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, këshilli brenda 4 javësh harton një raport për në seancën plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, të seancës së dytë pasardhëse pas paraqitjes së raportit të Këshillit të Rregullores. Në seancën plenare, fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime, ose për t‘iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrezohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›