Meta: Rinia do ta rrëzojë puçin e Kryeministrit
Nuk reshtin akuzat e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj Kryeministrit Sali Berisha për ndryshimet kushtetuese. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi në konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim, se rinia do ta rrëzojë puçin e ndryshimeve që bëri Kryeministri Berisha. "Fatet e të rinjve nuk do të jenë në dorën e Sali pensionistit", është shprehur Meta. Kreu i LSI-së ftoi deputetin socialist në Përmet, që të distancohet nga puçi i Berishës. Duke u ndalur te ndryshimet kushtetuese të bëra vetëm pak ditë më parë në Parlament, Meta tha se "ndryshimet e bëra janë ato ndryshime të cilat godasin në thelb e në zemër Kushtetutën dhe parlamentarizmin në Shqipëri. Janë ndryshime të cilat godasin zemrën e pluralizmit politik në vend. Shqipëria nuk mund të jetë më republikë parlamentare pas këtyre ndryshimeve kushtetuese të bëra nga PS-PD, tha Meta, ajo mund të quhet një republikë berishiane".