Lesi i "merr" PDK-në Ndokës
Nikoll Lesi i "merr" partinë që i dhuroi para dy vjetësh Nard Ndokës. Është thelluar dje "lufta" e hapur mes Lesit dhe Ndokës për vendin e kryetarit të Partisë Demokristiane. Është mbledhur dje në Tiranë, Këshilli Kombëtar i PDK-së, në të cilin mungonte kreu demokristian, Nard Ndoka. Lesi ka kërkuar të mblidhet në mënyrë urgjente kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Demokristiane më 10 maj, për të marrë vendimin që të largojë nga partia kreun e PDK-së, Nard Ndoka. "Kryetari Ndoka e shndërroi PDK-në në një parti tenderësh dhe pazaresh dhe tentoi t‘i japë asaj një frymë të majtë", u shpreh Lesi. Gjithashtu, edhe demokristiani tjetër, Zef Bushati, e akuzon Ndokën për ndryshim të pozicionit politik të demokristianëve dhe simboleve. Nga ana tjetër, Ndoka vazhdon të qëndrojë jashtë Shqipërisë, duke mos e vënë ujin në zjarr, për faktin se po i ikën partia prej duarsh. Mbështetësit e Ndokës, kreu aktual i grupit kuvendor të PDK-së, Ndue Shpani, për të treguar se gjithçka shkon shumë mirë brenda PDK-së bën me dije se "ish-drejtuesit e PDK-së nuk kanë qenë në mbrojtje të alternativës demokristiane në Parlament". Sipas tij, askush nuk mund ta përdorë siglën e PDK-së për qëllime personale. "Lidhur me zhvillimet e fundit në PDK, për ne është e qartë se nuk kemi të bëjmë me ndarje dhe as me konflikte parimore. Ju e dini se ish-drejtuesit e grupit parlamentar të PDK-së gjatë 6 muajve të fundit kanë dhënë vetëm 2-3 deklarata politike dhe në çdo rast ato nuk kanë qenë në mbrojtje të alternativës sonë parlamentare, por kundër kryetarit të partisë dhe vetë rolit të PDK-së në jetën politike", tha Shpani. Sipas tij, është e papranueshme për një parti, që ndonjë zyrtar apo deputet të kërkojë poste drejtuese, ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës ka regjistruar një parti tjetër politike. Shpani ka theksuar se askush nuk mund ta përdorë siglën e PDK-së për qëllime personale karrieriste.