E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Deputetët e PS të firmosin nismën për referendum

I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së, pas refuzimit të ftesës së PS-së për bashkëpunim. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, nëpërmjet një konference për shtyp nuk i ka kursyer sërish akuzat ndaj kryetarit të PS-së, Rama, se po bashkëpunon me Kryeministrin Berisha, ndaj u ka bërë edhe një herë thirrje deputetëve të PS-së që të distancohen nga ky qëndrim. Gjithashtu, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, nuk ka përtuar që të rikujtojë edhe një herë thelbin e propozimit të bërë dy ditë më parë nga kryetari i LSI-së, Meta. Gjatë fjalës së tij, Vasili ka theksuar se "LSI-ja shpalli publikisht iniciativën e saj politike për një kompromis të madh për mbrojtjen e themelit të shtetit shqiptar, që është Kushtetuta". Ky kompromis, tha Vasili, kërkon që duke mos prekur ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, me kërkesën e 28 deputetëve të mbahet një referendum popullor për të ndryshuar atë që në mënyrë puçiste u gatua në sallën e Parlamentit, duke kthyer me votat e deputetëve të PS-së dhe PD-së Berishën në sundimtar. "LSI-ja vlerëson se socialistët e vonë dhe të qelepirit, të cilët kanë uzurpuar lidershipin e PS-së dhe që i lidh me PS-në vetëm shpërdorimi për interesat e tyre personale i pushtetit dhe sakrificave të mijëra socialistëve, që me përpjekjet e tyre larguan Berishën nga pushteti, e kanë shumë të vështirë që t‘i shpëtojnë kapjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me Berishën në dëm të së majtës", tha Vasili. LSI-ja, ka vijuar ai më tej deklaratën e tij, nëpërmjet këtij referendumi i ka ofruar mundësinë Ramës të mos keqpërdoret më nga Berisha, si dhe deputetëve të përgjegjshëm të PS-së, që të vënë në vend dhunimin e Kushtetutës dhe nderin e nëpërkëmbur të tyre për të mos lejuar kthimin e Berishës në sundimtar. Sigurisht, tha Vasili, që për LSI-në është e qartë se për socialistët e vonë të gjumit të vapës në lidershipin e PS-së është e panjohur sakrifica e qindra mijëra socialistëve dhe progresistëve të ndershëm, që në 1994-ën ndalën me votën e tyre miratimin e Kushtetutës, të cilën ia dhuruan në tavolinë deputetët socialistë me nenet e puçit, duke e kthyer Berishën në sundimtar. Por kjo është e kuptueshme, sepse këta soj socialistësh të sotëm ishin në krahun e Berishës në atë kohë. "LSI-ja vlerëson se koha nuk pret më dhe deputetët e PS-së ne i presim që të firmosin sa më parë nismën për referendum për të mos lejuar që nenet e puçit të hyjnë në fuqi, sepse përgjegjësia do të jetë fatale për ta", tha Vasili.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›