Rama takon banorët në Komunën e Qafës së Malit
Kryetari i PS-së ka vijuar turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në verilindje, në rrethin e Pukës, në Komunën e Qafës së Malit. Gjatë takimit me banorët e kësaj zone, kryetari Rama është shprehur: "Është kënaqësi që jam këtu me ju. Dua t‘ju them që veçanërisht kur më duhet të shkoj në zonat veriore, kur më duhet të hyj në komunat e veriut, e ndiej shumë përgjegjësinë e jashtëzakonshme që më ngarkon besimi juaj. Një përgjegjësi e jashtëzakonshme që buron nga një besim, i cili vjen për faktin se ju të gjithë, ashtu si gjithë veriu i Shqipërisë, keni nevojë për një ndryshim të madh. Keni nevojë për një ndryshim real, keni nevojë për një ndryshim që të shkëputeni nga zinxhiri i këtyre viteve që po ju varfërojnë, që po ju humbasin dëshirën për të qëndruar në vendlindjen tuaj, që po ju mësojnë se jeta në këto zona është e pamundur". "Unë, u shpreh Rama, kam shkuar në shumë fshatra të veriut gjatë gjithë kësaj periudhe, kam takuar mjaft qytetarë dhe qytetarë që jetojnë në këto fshatra, sepse pavarësisht se në gjuhën popullore ka qytetarë dhe fshatarë, në gjuhën e Kushtetutës të gjithë jemi qytetarë të Republikës së Shqipërisë, me të drejta dhe liri të barabarta".